Paloka: Rama donte Metën në burg

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka sqaruar se pavarësisht marrëveshjes Rama-Basha, akuzat   mbeten po të njëjtat nga opozita sa i përket kanabisit dhe krimit të organizuar. Sipas Palokës, ka qenë ndërhyrja e zyrtarit amerikan Yee, duke bërë që të arrihej marrëveshja dhe të përmirësohej paketa McAllister. “Nuk mund të themi që kemi qenë të ngurtë në kërkesat tona, shtymë largimin e Ramës deri më 25 qershor, i hoqëm gjysmën e qeverisë, pjesën tjetër ja heqim më 25 qershor. Synimi i kërkesave tona ishte i qartë, ne kërkonim që shqiptarëve t’u jepet besim dhe t’u jepet mundësia për të votuar lirisht”, tha Paloka. I pyetur në lidhje me rëndësinë e Paketës McAlister dhe ndërhyrjes së SHBA për pranimin e saj, Paloka tha: “Në këtë vend është treguar që ndërkombëtarët kanë rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjeve. Është më mirë kur ndërkombëtarët nuk mbajnë anë, pra janë të paanshëm. Kur ata marrin një krah rrezikohet gjithçka. Ne morëm parasysh kërkesën e Uashingtonit. Nuk ishte më kërkesa McAllister, por McAllister+. Arsyet pse Basha refuzoi në fillim paketën janë dhënë, po ashtu dhe Rama e ka pranuar që refuzoi atë. Kërkesa e Uashtingonit bëri që të arrinim një marrëveshje. Se më pas do shkonim në një situatë që nuk do ishte e këndshme për askënd. Marrëveshja u arrit në kohë dhe jep garanci për kërkesën që kishim”. “Është normale të shtrëngohen duart kur bën marrëveshje. Nuk ulesh me kallashnikov në dorë, por ulesh për dialog. Për mua, akuzat dhe faktet janë po ato, nuk ka ndryshuar gjë. Mos mendoni se kanabisi u bë luledielli, dhe autori i kanabisit është Edi Rama. Por nëse prisni që liderët e partive të ulen për një marrëveshje e të kapen prej flokësh, kjo s’bëhet. Por nga akuzat asgjë nuk ka ndryshuar, se s’do kishim nevojë për marrëveshje”. Ndërsa për impaktin që kjo marrëveshje ka pasur te Lëvizja Socialiste për Integrim, Paloka tha se, marrëdhëniet e Ramës me Metën s’kanë qenë asnjëherë me qetësi e dashuri. “Marrëdhëniet e Ramës me Metën s’kanë qenë asnjëherë me qetësi e dashuri, se kemi pasur kreun e qeverisë që kërkonte ta fuste në burg kreun e partisë aleate. S’kanë pasur kurrë marrëdhënie të mira. Kur partitë e vogla futen në një koalicion, marrin më shumë mandate se kur hyjnë vetëm”, tha Paloka. Në lidhje me partitë aleate, Paloka u shpreh se PD ka garantuar aleatët e saj për t’i përfshirë në listat për kandidatë për deputetë. “Ne merremi me aleatët tanë, ishin të pakënaqur kur u shpall kjo pikë e marrëveshjes. Por këtu nuk ka pabarazi në garë, të gjithë janë të barabartë. Humbja vjen për partitë më të vogla. U kemi dhënë garanci që do përfshihen në listat për deputetë. I kemi vlerësuar për kontributin që kanë dhënë”, tha kreu i deputetëve demokratë.