Në pranga për trafik droge vëllai i Kryetarit të Qarkut

Vëllai i kryetarit të Qarkut të Elbasanit dhe njëkohësisht ish-deputet i PS-së, Bukurosh Stafa është arrestuar nga policia, pasi ishte në kërkim nga Interpoli për trafik ndërkombëtar droge. Edmond Stafa, pronar i hotel bar restorant “Skampini”, një nga hotelet më të njohur në Elbasan, që ndodhet në zonën e Kalasë është arrestuar brenda ambjenteve të lokalit të tij. Edi Rama zhvilloi para dy ditësh një miting me gratë socialiste në amfiteatrin e lokalit luksoz të Edmond Stafës.
Bëhët e ditur se biznesmeni Edmond Stafa, i njohur për mbështetjen financiare që i ka bërë Partisë Socialiste, rezultonte i dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Bergamos në Itali për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe të organizatës kriminale. Për të pritet të nisë një proces për ekstradimin në drejtim të Italisë, ku duhet të vuajë edhe dënimin e dhënë ndaj tij.

Rama miting në amfiteatrin e trafikantit

Vetëm dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me gratë në qytetin e Elbasanit, në amfiteatrin e lokalit në pronësi të Edmond Stafës, 51-vjeçarit të arrestuar në ambientet e lokalit të tij për trafik ndërkombëtar droge. Vendi ka qenë i përzgjedhur nga PS e Elbasanit dhe Taulant Balla, i cili është drejtues politik i PS në Qarkun e Elbasanit.
51-vjeçari, Edmond Stafa është vëllai i Bukurosh Stafës, aktualisht kryetar i Këshillit të Qarkut të Elbasanit, i cili njihet për influencën e tij në këtë qytet. Bukurosh Stafa ka qenë deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit në periudhën 2005-2009.
Edmond Stafa i arrestuar për trafik droge ka investuar për ngjitjen e shkallëve të karrierës të vëllait të tij, Bukuroshit. Buklurosh Stafa është bërë kryetar i Qarkut Elbasan pas sponsorizimeve të të vëllait, por njëkohësisht njihet si mik i ngushtë i kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini. Prokuroria ka nisur hetime ndaj bashkëshortes së kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini për përfshirje në trafikun e 8 ton drogë që u kap para katër muajsh në Itali. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, Agjencia Doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit në Shqipëri të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar më 8 ton drogë në Itali, rezulton se është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Kompania e bashkëshortes së Sejdinit “Ujori Shpk”, si përfaqësues të saj në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës kishte shtetasin Maliq Kadilli, tashmë i arrestuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. I dyshuari Kadilli, në emër të agjensisë doganore “Ujori shpk”, ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski, i arrestuar në Itali.

Biznesi me paratë e drogës

51-vjeçari Edmond Stafa ka ngritur një biznes të fuqishëm në Elbasan dhe policia ka hedhur dyshime se në këtë biznes ka investuar paratë e përfituara nga trafiku i drogës. Bëhet e ditur se, pasi kishte marrë dënimin me 10 vjet burg në Itali, Edmond Stafa nuk është marrë me trafik droge, por vetëm me biznesin e tij. Ai arriti të privatizojë lokalin brenda Klasaë së Elbasanit dhe të gjitha ambientet brenda tij ku ka ndërtuar edhe një amfiteatër.
Privatizimi është bërë me mbështetjen e kreut të Bashkisë Qazim Sejdini ku ka influencuar edhe vëllai i tij që ishte deputet i zgjedhur nga PS. Lokali luksoz brenda Kalasë është arritur të rikonstruktohet dhe zgjerohet falë sponsorizimeve që ai kishte bërë për PS-në dhe investimit për të bërë deputet vëllain e tij. Nuk dihet nëse do të sekuestrohen nga Prokuroria pasuritë e tij, por burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se kanë nisur hetimet dhe pritet që t’i dërgohet një kërkesë organeve të drejtësisë italiane për dosjen e tij.

Enton DOÇI