Ndeshja e fundit

Filip Lahm ka zhvilluar konferencën e tij të fundit për shtyp si futbollist i Bajern Mynih, pasi të shtunën, pas përfundimit të ndeshjes kundër Fraiburgut, ai do të varë këpucët në gozhdë për t’u larguar nga fushat e blerta. Për Lahm nuk do të ketë më kthim mbrapa, edhe pse ai ka zbuluar se trajneri Karlo Ançeloti i kishte kërkuar shpeshherë që të ndërronte mendje dhe të vazhdonte për të paktën edhe një sezon. “Karlo provoi gjithçka për të më bindur që të mos tërhiqesha nga futbolli, thuajse çdo ditë! Por unë kam pasur kohën e duhur që t’i gëzohesha këtij fundi, thjesht shpresoj që tifozët të më kujtojnë si një futbollist të mirë”, tha Lahm.
“Tani dua të largohem pak, të bëj gjëra të tjera, të mësoj gjëra të ndryshme dhe të takoj njerëz të rinj. Çfarë do të bëj në ditën e parë, pasi të largohem nga futbolli? Do të çoj djalin tim në kopsht dhe pastaj do të zbraz raftin tim në dhomat e zhveshjeve. Pastaj kam edhe ditëlindjen e mamasë.
Frank Riberi më tha se do të më blinte një abone sezonale për stadiumin në vitin e ardhshëm nëse do të më duhej një”, tregoi duke qeshur Lahm para gazetarëve.
Ndeshja ndaj Freiburgut në kuadër të Bundesligës, do të jetë e fundit për kapitenin e Bayern Munichut, Philipp Lahm dhe për mesfushorin spanjoll, Xabi Alonso. Të dy këta futbollistë tashmë e kanë konfirmuar se do të përshëndet nga futbolli në fund të këtij edicioni.
Trajneri Karlo Ançeloti ka treguar se ata do të luajnë nga fillimi, por do të zëvendësohen, për të pasur mundësi tifozët që t’i përshëndesin në mënyrën se si ata e meritojnë. “Stërvitja e fundit me Lahm dhe Alonson ka qenë shumë emocionale. Jam krenar që kam qenë në gjendje të stërvit lojtarë të tillë”, tha fillimisht Ançeloti gjatë konferencës për media. “Ata do të luajnë nga fillimi dhe do të zëvendësohen para se ndeshja të përfundoi, në mënyrë që ata të festojnë me tifozët”. Ançeloti tha se, Lahm dhe Alonso mund të bëhen trajnerë shumë të mirë, nëse vendosin që në të ardhmen të ndjekin këtë rrugë
Edhe pse ka ende kohë nga hapja zyrtare e merkatos së verës, zërat për transferime të bujshme kanë kohë që kanë filluar. Një prej tyre është edhe i mesfushorit italian, Marco Verratti, tek Bayern Munich, një lojtar që pëlqehet shumë edhe nga tekniku Karlo Ançeloti. Por është pikërisht ky i fundit që i shuan edhe zërat për mbërritjen në Gjermani nga francezët e PSG të Marco Verratit. “Ai është mirë kudo që të jetë, sepse është një lojtar i madh, edhe pse është i ri. Ka vetëm një problem: luan me PSG dhe ata s’kanë ndërmend që ta lëshojnë, sepse nuk ka shumë mesfushorë të atij niveli”, ka deklaruar Ançeloti për “Fox Sports”.