Ndahet nga jeta ish-kryetari i degës së PD të Librazhdit

Ndahet nga jeta ish-kryetari i degës së PD Librazhd, mjeku Liman Mënalla. Mjeku Mënalla vuante nga një sëmundje e rëndë dhe u nda papritur nga jeta në orët e parë të ditës së djeshme.
Doktor Limani, intelektuali, ideatori dhe këshilluesi i dha jetë pluralizmit në Librazhd, ishte njëri nga themeluesit dhe drejtuesit e degës së PD. Doktor Limani në vitet ‘90 u vu në krye të grupit nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të rrethit Librazhd dhe e drejtoi këtë parti, duke emancipuar procesin e vështirë dhe u përball me Sigurimin e Shtetit dhëmb për dhemb, deri në momentin që pluralizmi mori jetë dhe njerëzit kuptuan që liria është e domosdoshme dhe jetike për çdo individ, familje, komunitet dhe shoqëri.
U largua nga jeta, mjeku human, ai do t’i mungojë familjes, stafit mjekësor, kolegëve dhe shumë pacientëve të Librazhdit dhe vendit. U largua nga jeta, intelektuali, familjari shembullor dhe babai i dy vajzave të shkëlqyera. U largua nga jeta, bashkëshorti i një gruaje të mrekullueshme si shembull i qytetarisë. U largua nga jeta anëtari i Kryesisë dhe këshilltari më i mirë i degës të PD Librazhd.
Doktor Limani të dielën në mbrëmje ishte në mbledhjen e aktivit të PD-së, ku edhe foli për rëndësinë e zgjedhjeve që do mbahen më 25 qershor, duke kërkuar angazhimin e të gjithëve për fitoren e Partisë Demokratike në këto zgjedhje.
Dega e PD Librazhd i shpreh ngushëllimet familjes, miqve dhe gjithë qytetarëve të Librazhdit për këtë humbje të madhe.