Mijëra automjete pa kontroll teknik qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë

Shpejtësia e lartë apo mungesa e sinjalistikës nuk janë të vetmet rreziqe në rrugët e Shqipërisë. Automjetet që qarkullojnë pa një kontroll teknik, janë një rrezik i padukshëm. Të dhënat e transportit rrugor tregojnë se gati një e treta e automjeteve që qarkullojnë në rrugë, nuk e kanë kryer procedurën e kontrollit vjetor teknik dhe nuk kanë paguar taksat. Vitin e kaluar rezulton të jenë të regjistruara mbi 563 mijë automjete, por të rregullta ligjërisht (pra kontrollet dhe taksat) i kanë kryer vetëm 401 mijë automjete. Ekspertët e sigurisë rrugore pranë Ministrisë së Transportit, thonë se numri i automjeteve të pakontrolluara po ulet nga viti në vit, por nuk mohojnë faktin se pjesa e mjeteve të paligjshme në qarkullim, vijon të mbetet ndër më të lartat në rajon. Po ashtu, në rajon kryesojmë edhe për nivelin e lartë të aksidenteve, madje dhe atyre me vdekje. Me raportet e saj, Ministria e Transportit vëren se rritja e numrit të mjeteve rrugore pa u paraprirë nga planet e zonave urbane për këmbësorë e çiklistë rrit rrezikun e përfshirjes në aksidente rrugore. Ndërsa nuk ka një vlerësim të mirëfilltë sa ndikojnë në shtimin e aksidenteve mjetet e paçertifikuara teknikisht. Në të gjithë vendin, vitin e kaluar u përfshinë në aksidente të rënda rrugore mbi 700, persona, dhe 269 prej tyre humbën jetën.