Mediat e huaja jehonë marrëveshjes politike për zgjedhjet e lira në Shqipëri

Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar atë çfarë ndodh në vendin tonë pas marrëveshjes së arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, e cila i dha fund edhe krizës 90 ditore politike. Veçanërisht ato italiane shkruajnë për ndryshimet në qeveri, emrat e rinj që do të zëvendësojnë të besuarit e Edi Ramës dhe seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të votohet vetingu.
Marrëveshja Rama-Basha dhe ndryshimet në qeveri kanë marrë vëmendje ndërkombëtare. Në veçanti mediat italiane, të cilat kanë pasqyruar krizën politike të nisur që prej 18 shkurtit, kur opozita ngriti çadrën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe bojkotoi punimet parlamentare, kanë pasqyruar situatën post marrëveshje. “Tgcom” e quan riorganizim të qeverisë ndryshimin e 6 ministrave dhe të zëvendëskryeministrit, emra të propozuar nga opozita, por ndalet edhe tek emrat gjithashtu, duke veçuar ministrin  e ri të Brendshëm, Dritan Demiraj. Edhe e përditshmja “Ansa” jep detaje për kabinetin e ndryshuar të Ramës, duke pasqyruar edhe karrierën profesionale të ministrave të rinj.
Mediat italiane shkruajnë gjithashtu edhe për seancën e jashtëzakonshme parlamentare, në të cilën do të votohen jo vetëm ndryshimet në qeveri, por edhe komisionet e vetingut. Nuk harrojnë të vënë në dukje mediat e huaja se refoma në drejtësi është një nga kushtet që ka vendosur Brukseli për integrimin e vendit tonë në BE dhe hapjen e negociatave këtë vjeshtë. Marrëveshja e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha i dha fund krizës politike, por shmangu edhe një situatë kritike të zgjedhjeve të ardhshme në të cilat opozita kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë.