Manchester United, Fellaini dyshimi i vetëm ndaj Ajax

Fellaini dyshimi i vetëm për Jose Mourinhon përpara finales së Europa League. Kur kanë mbetur vetëm disa orë nga mbrëmja e magjishme e Stokholmit, “Djajtë e Kuq” janë duke përgatitur detajet e fundit për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Përveç mungesave tashmë të konfirmuara siç është ajo e Zlatan Ibrahimoviç, e mbrojtësit Bailly, i cili u ndëshkua me karton të kuq në gjysmëfinalen e kthimit përballë Celta Vigos dhe të Marcos Rojo, i cili është i dëmtuar, dilema e vetme për teknikun portugez është gjendja fizike e mesfushorit belg Fellaini, i cili u dëmtua në sfidën kundër Southmapton dhe ende nuk ka një konfirmim nëse do të jetë apo jo i gatshëm të aktivizohet në sfidën përballë Ajax-it.
Chris Smalling gjithashtu ka ndjerë shqetësime, por për mbrojtësin situata nuk duket shqetësuese. Përsa i përket pjesës tjetër të ekipit disa nga elementët më të rëndësishëm që kanë “Djajtë e Kuq” do të jenë  të gatshëm për Special One. Pol Pogba, Ander Herrera, Marcus Rashford dhe Mkhitaryan do të jenë disa nga shtyllat ku portugezi do të mbështetet për të arritur suksesin e shumëpritur. Ndërkohë nga ana tjetër ish-poriteri i Man.United, sot shefi ekzekutiv i Ajax, Edwin van der Sar, i cili në të kaluarën e tij ka qenë pjesë e të dy ekipeve është shprehur se shpreson fort që Ajaxi ta fitojë këtë finale të madhe.