Lufta ka nisur, sa deputetë marrin LSI dhe PDIU pas goditjes nga Rama

Armand MAHO

LSI do të rrudhet në këto zgjedhje nga disa faktorë. Së pari, formula e llogaritjes së mandateve nga sasia e votave të grumbulluara e defavorizon LSI. Konkretisht, me të njëjtën sasi votash LSI duke qenë e vetme do të marrë gjysmën e mandateve që do të merrte po të ishte në koalicion me PS. Për shembull, po t’i referohemi zgjedhjeve të vitit 2013, LSI e cila mori në koalicion me PS 18 mandate po të kishte dalë më vete do të merrte me të njëjtën sasi votash vetëm 9-10 mandate. Së dyti, votuesit e LSI që janë larguar nga PS apo PD vetëm për një vend pune, kur të kuptojnë se LSI nuk do të jetë më në pushtet, nuk do të votojnë më për LSI dhe do të kthehen në “shtëpitë e tyre”, përkatësisht lësëistët me origjinë socialiste do të shkojnë te PS kurse lësëistët me origjinë demokratike do të shkojnë në PD. Ky numër votuesish mund të jetë rreth 30 për qind e numrit të atyre që votojnë për LSI, për rrjedhojë numri i deputetëve do të ulej me 30 për qind, duke arritur në 6-7 mandate. Së treti, shumë nga drejtorët e LSI të punësuar në shtet për shkak se LSI nuk do të jetë më në pushtet ose s’do të punojnë më për fitoren e LSI se ajo do të jetë në opozitë ose do të bëjnë marrëveshje me PS apo PD për të ruajtur postet e drejtorit meqë qoftë PS, qoftë PD apo të dyja bashkë mund të jenë në pushtet pas 25 qershorit. Kjo do të ndikonte edhe në zvogëlimin e LSI me 2-3 mandate të tjerë, duke e çuar LSI në një parti me 4-6 mandate. Nëse LSI do të angazhohet shumë për të rezistuar përballë kësaj skeme të Ramës dhe do të hedhë shumë financime në fushatë, ajo nuk do të arrinte në asnjë rast më shumë se 5-8 mandate. Ky do të ishte vetëm ndikimi në zgjedhje, për më tepër që Rama do të bëjë edhe thirrje publike, por do të japë edhe udhëzime që duhet të merret çdo votë nga LSI, duke përdorur të gjithë joshjet e marifetet.

Goditja ndaj LSI-së

Goditjen më të madhe LSI pritet ta marrë në Tiranë. Marrëveshja e kryer së fundmi nga Edi Rama rrit pragun elektoral, nga 8 deri në 15 apo 17 për qind sipas qarkut, nga 4-10% që ishte shifra në rast se merrje pjesë në koalicion për një mandat deputeti. Skënder Gjinushi, një nga aleatët e Ramës, në inat e sipër do të deklaronte se marrëveshja e Ramës e rrit pragun padrejtësisht për aleatët e tij të regjistruar në zgjedhje në 8%. Në rast se i ecim kësaj llogarie vëmë re se në vitin 2013 LSI ka marrë në Tiranë 7.8% të votave ose 35 mijë në total dhe epërsia brenda koalicionit bëri që kjo të përkthehej në jo pak, por 3 mandate deputetësh. Duke qenë partia e dytë me numrin më të madh të votave, asaj i kalonin dhe votat e partive të tjera më të vogla, pasi sistemi De Hondt ia siguron këtë. Kjo vlen për të gjitha qytetet, sidomos ato të mëdhatë, në bazë të numrit të votuesve. Por hyrja e opozitës në zgjedhje dhe dalja jashtë koalicionit e aleatit më të madh të Ramës, bën që kjo shifër të përkthehet në 2 deputetë. Kjo sepse, në rast se i referohemi pragut 8%, atëherë të gjitha votat që ka marrë LSI në koalicion i kalojnë një mandat të vetëm. Pra, mundësia që LSI të nxjerrë vetëm një deputet në Tiranë është e lartë. Por kjo gjë mund të përsëritet dhe në Qarkun e Fierit, ku rezultati 9.7 për qind shkon për mandatin e një deputeti, nga dy që mori në zgjedhjet e katër viteve më parë, ose rezultati i Elbasanit ku në vitin 2013 i siguroi dy mandate deputetësh, ndërsa në këto zgjedhje mund të hyjë vetëm me një.  Për shembull, nëse përsërit rezultatin e 2013-ës, mund t’i rrezikohet dhe mandati në Durrës. Po t’i shtojmë këtu se i janë hequr dhe drejtori si fjala vjen Hipotekat, Zhvillimi Bujqësor, ku ajo ka përqendruar forcën e saj kryesore dhe punësimet e përkohshme, atëherë e ardhmja nuk duket shumë optimiste.

Zhduket PDIU?

Akoma më e zymtë shfaqet situata për PDIU në këto zgjedhje. Në vitin 2013 kjo forcë politike aderonte në krahun e djathtë dhe mori deputetë në Fier, Elbasan dhe Vlorë. Në këto zgjedhje rrezikon të mbetet pa asnjë deputet ose në rastin më të mirë të nxjerrë një deputet në Elbasan, pasi vetëm aty ka arritur të marrë 7.8% të votave (natyrisht u shfrytëzua dhe situata duke marrë shumicën nga elektorati i djathtë). Kjo sepse në të gjitha rastet në çdo qark kjo forcë politike nuk e kalon pragun e 4.4-5 për qind të votave. Në një rast të tillë, rrezikohet që PDIU të dalë nga skena e politikës për katër vitet e ardhshme dhe të kthehet në parti pa zë, siç janë fjala vjen ajo e Paskal Milos apo e Skënder Gjinushit. Shto këtu, që shumë nga ministritë që i janë dhënë PD-së, kanë në varësi pikërisht institucionet që ka marrë Shpëtim Idrizi nga marrëveshja me Ramën, ku tek dy prej tyre ka përqendruar forcën kryesore. Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor, njëra në varësi të Ministrisë së Financave dhe tjetra në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, të dyja të kaluara tashmë në varësi të PD-së, e cila s’do të lejojë përdorimin e administratës dhe resurseve të saj në zgjedhje. Nuk duhet harruar se këto drejtori ishin dhe furnizuesit kryesorë me fonde për këtë parti.

LSI pa pushtet, rrudhja akoma më e madhe pas zgjedhjeve

Pas zgjedhjeve, kur LSI do të gjendet në opozitë do të fillojë rrudhja e madhe. Së pari, të gjithë të punësuarit për të ruajtur vendin e punës do të largohen nga LSI sepse nuk kanë asnjë arsye të sakrifikojnë vendin e tyre të punës për të bërë opozitë me LSI dhe për më tepër që nuk shikojnë asnjë shans se do të mund të rriten një ditë. Së dyti, të gjithë drejtorët po ashtu do të bëjnë “kontrata” të reja me qeveritarët e rinj, të PS ose PD, sepse të njëjtën gjë kanë bërë kur janë futur në punë me LSI dhe sepse realisht nuk i lidh asgjë tjetër me LSI përveç vendit të punës si drejtor dhe “zarfit” që duhet të paguanin çdo muaj. Edhe kjo ide e Ramës do të aplikohet me shumë agresivitet, përndryshe ndaj atyre që do të rezistonin do të vepronte drejtësia e reformuar. Por ajo që është më e rrezikshmja për Metën është ideja e vjetër që Rama nuk heq dorë për ta çuar atë para drejtësisë. Dosjet e përgatitura nga Rama prej disa vitesh për Metën dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë gjenden në disa kancelari të rëndësishme perëndimore. Rama do t’i aktivizojë përsëri pas zgjedhjeve për të fituar imazhin e liderit që lufton korrupsionin elitar. Madje ëndrra e tij është që një ditë në Bruksel të mburret që ndryshe nga Kroacia apo Rumania që kanë prangosur ish-kryeministrat apo kryeministrat, Shqipëria e “gjeneratës tjetër” arriti të çonte para drejtësisë edhe Presidentin e vendit. Kjo duket si një teori konspiracioni apo fantashkencë, por ajo qarkullon çdo ditë në mendjen e Ramës dhe me këtë ide ka shkuar mesa duket edhe në takimin për marrëveshjen e 18 majit 2017.

Inati i Ramës me Metën, nis që 20 vjet më parë

Rama prej kohësh mendon se si të heqë qafe Metën, si pengesën e fundit drejt një pushteti absolut. Në realitet kjo është një betejë rreth 20-vjeçare mes tyre. Rama do ta nxirrte Metën jashtë PS. Rama do ta përdorte Metën për të shkaktuar humbjen e PS më 2005 dhe nxjerrë jashtë loje Nanon. Rama do të tentonte të rrudhte apo eliminonte Metën më 2009 duke e rrezikuar deri në 4 mandate me MJAFT dhe G99. Rama do ta përdorte Metën më 2007 për të forcuar pozitat e tij duke u zgjedhur kryetar Bashkie dhe do ta tradhtonte të nesërmen. Rama do t’i kërkonte Berishës më 2008 një sistem për të eliminuar Metën, Rama do të përdorte Metën më 2013 për t’u bërë Kryeministër. Dhe çdo ditë nga ai moment do të mendonte si ta hiqte qafe. Në fakt në këtë betejë 20-vjeçare mes tyre, kulmi arriti më 21 janar kur Rama me “videon e Metës me bllok” do të nxiste “kokëpalarët” për të eliminuar politikisht Metën. Madje për ta futur edhe në burg. Rama me dosjen e Metës do të shëtiste në të gjithë kancelaritë e Europës. Ndonëse më 2013 Ramës për t’u bërë kryeministër do t’i duhej të puthte dorën e Metës, asnjëherë nuk do të harronte mikun e tij armik dhe herë pas here do të nxirrte nga sirtari planin e vjetër. Lëvizjet e fundit të Metës me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi dhe veçanërisht afrimi i qëndrimeve të tij kundër kanabisit dhe veçanërisht për përfshirjen e opozitës në zgjedhje do ta acaronin Ramën në ekstrem. Acarim që do ta shtynte të programonte planin e eliminimit të tij. Plan që nis me detyrimin për të pranuar para zgjedhjeve postin e Presidentit, që për një parti, e cila ka një simbiozë pandashmërie mes LSI e Metës do të thotë fillim i rrudhjes. Dhe vazhdoi me hilen që as Meta dhe as aleatët e tjerë s’e kuptuan me regjistrimin e të gjithë partive të mazhorancës më vete në zgjedhjet e 25 qershorit; kjo duket si një gjë e paramenduar që do të bëhej kërkesë kryesore e marrëveshjes. Po ashtu, Rama do të ngulte këmbë në datën sa më të afërt për të mos i lënë kohë as LSI dhe aleatëve të saj të organizoheshin. Pra, plani i eliminimit të LSI nisi para marrëveshjes për të marrë formë në marrëveshjen e 18 majit 2017. Në natën e 18 majit 2017 Rama do të vinte në takimin kokë më kokë me vetëm një synim, të eliminonte në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme Metën. Dhe në realitet marrëveshja ia mundëson arritjen e këtij objektivi. LSI do të jetë në çdo rast opozitë; kjo do të fillojë të artikulohet fuqimisht nga Rama që në fushatë duke i kërkuar të gjithë drejtorëve të LSI dhe votuesve të saj që të votojnë për PS nëse duan të ruajnë vendet e punës. Rama do t’ju bëjë thirrje hapur socialistëve të bashkohen me fituesin se, LSI do të jetë në opozitë, se ai është gati të bashkohet me PD vetëm e vetëm që LSI të shkojë në opozitë sepse kështu mund të shkatërrohet përfundimisht. Dhe kjo do të çojë në rrudhjen e LSI në kufijtë maksimalë, ndoshta LSI nuk do të arrijë të marrë më shumë se 6-8 deputetë.

Tabela sipas zgjedhjeve të 2013 në rast se LSI do shkonte vetëm

Berat 23%- 2 deputetë koalicion, vetëm 1
Dibër 13%- 1 deputet koalicion, vetëm 0
Durrës 7.8%- 1 deputet, vetëm 0
Elbasan 10.57%- 2 deputetë koalicion, vetëm 1
Fier 9.7% -2 deputetë koalicion, vetëm 0-1
Gjirokastër 19.3%- 1 deputet koalicion, vetëm 1
Korçë 9.86%- 1 deputet koalicion, vetëm 0-1
Kukës 12.6%- 0 deputet koalicion, vetëm 0
Lezhë 10.9%- 1 deputet koalicion, vetëm 0-1
Shkodër 10.46- 1 deputet koalicion, vetëm 0-1
Tiranë 7.84%- 3 mandate koalicion, vetëm 2
Vlorë 8.7%- 1 mandat koalicion, vetëm 0-1
LSI mund të merrte nga 7-10 deputetë.

Tabela sipas zgjedhjeve të 2013 në rast se PDIU do shkonte vetëm

Berat 0.86%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Dibër 0.33%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Durrës 2.44%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Elbasan 6.98%- 1 deputet koalicion, vetëm 0
Fier 4.46% – 1 deputet koalicion, vetëm 0
Gjirokastër 0.33%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Korçë 0.99%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Kukës 1.16%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Lezhë 0.74%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Shkodër 0.20%- 0 deputetë koalicion, vetëm 0
Tiranë 2.03%- 1 mandat koalicion, vetëm 0
Vlorë 5.6%- 1 mandat koalicion, vetëm 0
E vetme në zgjedhje PDIU nuk merr asnjë mandat.