Kush dhe përse proteston?

Përveç të tjerave marrëveshja Rama-Basha prodhoi edhe një ligj të ri, për mediat audiovizive gjatë fushatave elektorale. Sipas këtij ligji që u miratua të hënën në mbrëmje me 118 vota pro dhe 2 kundër, televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore do të transmetojnë falas reklamat politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit.
Por menjëherë pas kësaj ka shpërthyer një furtunë kundërshtie nga këto televizione, duke pretenduar se po u shkelet e drejta e tregut, lirisë së medias dhe të tjera broçkulla si këto. Lepuri në fakt fle tjetërkund dhe po e shpjegojmë më poshtë.
Tashmë televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore janë të detyruara që të vënë në dispozicion:
Partisë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partisë më të madhe të pakicës parlamentare (respektivisht PS dhe PD) nga 90 minuta reklama politike; të partive të tjera parlamentare (LSI, PDIU, PR, PDK) nga 45 minuta reklama politike; të partive të tjera jo parlamentare nga 10 minuta reklama politike.
Kostoja e televizioneve për vënien në dispozicion të partive këto minutazhe do të llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm për efekte tatimore.
Nëse refuzojnë që të zbatojnë këtë detyrim ligjor, çdo televizion apo parti politike që do të transmetojë reklama politike kundrejt pagesës do të dënohet me nga 3 deri në 8 milionë lekë nga Bordi i Monitorimit të Medias.
Duket se ky ligj është propozuar nga Lulzim Basha dhe kryeministri Rama është detyruar që ta pranojë brenda paketës së gjerë të marrëveshjes. Ajo që përfiton de fakto nga ky ligj është opozita e sotme, por edhe ato që do të vijnë më pas, sepse pas funksionimit të tij futen në fushatë në kushte të barabarta publiciteti me “Rilindjen” që për 4 vite ka mundur të kapë me favore të gjitha mediat e mëdha tradicionale. Dihet që partia qeverisëse është gjithmonë më e favorizuar dhe komode për sa i përket aksesit në televizionet e mëdha shqiptare, por edhe ato lokale.
Një nga pikat kryesore të retorikës 3 mujore në “Çadër” të kreut të opozitës, ishte denoncimi i kapjes së mediave të mëdha nga kryeministri. Gati çdo ditë me fakte konkrete, ai akuzoi pronarët e tyre se janë kthyer në shërbëtorë mediatikë të Ramës në shkëmbim të lejeve të ndërtimit dhe favoreve të tjera sipas bizneseve që disponojnë, përveç mediave.
E vërteta është që nëse pasqyrimi i “reklamave” elektorale do të vazhdonte si më parë, opozita do të paguante për ato, kurse “Rilindja” jo. Kështu ka ndodhur dhe do të përsëritej sërish, sepse “pagesa” e partisë së kryeministrit për televizionet është bërë më herët dhe sistematikisht në disa mënyra; asnjëherë nga fondet e partisë, por nga paratë e taksapaguesve që janë të të gjithëve.
Një nga format e kësaj “pagese” është ajo e “kliringut”, pra “mall me mall”, ose nder me nder. Gati të gjithë pronarët e këtyre mediave kanë përfituar nëpërmjet bizneseve të tjera të tyre në arsim, ndërtim, koncesione, tendera, infrastrukturë etj., lehtësira gati të jashtëligjshme. Gjithashtu vetë këto televizione dhe bizneset e tjera të pronarëve të tyre janë favorizuar te taksat apo garat e punëve publike që jep qeveria.
Revolta e tyre, sot pas miratimit të këtij ligji është hipokrite dhe e qepur keq. Ligji në fakt ka përcaktuar në një pikë të tijën, që ato nuk humbasin asnjë qindarkë pas funksionimit të tij; do të kompensohen…
“Kostoja e televizioneve për vënien në dispozicion të partive këto minutazhe, do të llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm për efekte tatimore”, thuhet tekstualisht në ligj.
Pra, paratë, të cilat televizionet nuk do t’i marrin nga reklamat elektorale që do të transmetojnë falas, do të dalin nga zbritja e shumës së taksave që ata paguajnë në shtet.
Por ata janë të revoltuar dhe po grupohen, për të nisur një fushatë për rrëzimin e ligjit. Çfarë halli kanë, përderisa nuk humbasin asnjë qindarkë?!
Pikërisht këtu “fle lepuri”. Që të ribursohen për paratë e reklamave të partive, ata duhet të jenë taksapagues të rregullt. A janë? Fakti që janë të alarmuar, tregon se janë evazorë, ashtu siç janë akuzuar gjithmonë jo vetëm nga opozita.
E bukura e këtij ligji nuk është vetëm vendosja në kushte të barabarta e opozitës me Rilindjen në garë e propagandës televizive, por edhe sepse sipas pikës së fundit të ligjit, do të na tregojë se sa taksa paguajnë realisht këta “gjigantë mediatikë”.

SYRI.net