Gjermanët vazhdojnë të zgjedhin Angela Merkel

Heribert Prantl

Sikur të ishin mbajtur 10 javë më parë, zgjedhjet për Parlamentin e landit të Rinit Verior–Vestfalisë do të kishin pasur një rezultat krejtësisht ndryshe. Në fillim të marsi, Gjermania ishte entuziaste për liderin e ri socialdemokrat Martin Schulz dhe në landin e Këlnit partia e tij, SPD-ja, kishte 10 pikë avantazh ndaj kristiandemokratëve (CDU) të Kancelares Angela Merkel. Por qysh atëherë gjërat kanë ndryshuar. Më 14 maj në Rinin e Veriut–Vestfali SPD-ja është mundur. Socialdemokratët kanë siguruar 69 vende nga 199, 30 më pak sesa më 2012, ndërsa CDU-ja ka marrë 72, duke shtuar 4. Ndoshta më 24 shtator, ditën e zgjedhjeve federale, do të thuhet se Schulz ka ardhur shumë vonë sa për t’i vënë vulën e tij fushatës elektorale të SPD-së. Kurse në Rinin e Veriut–Vestfali, duhet të ketë ardhur shumë shpejt. Ditën e votimit entuziazmi me të cilin ishte pritur emërimi i tij si lider socialdemokrat ishte pothuajse ezauruar. Kështu Schulz e ka mësuar se as kush arrin përpara kohe është puntual.
Puntualiteti i munguar i Schulz ka dekretuar suksesin e Armin Laschet, falë të cilit CDU-ja ka harruar humbjen e pësuar nga Norbert Röttgen 5 vite më parë. Në atë kohë kandidati kristiandemokrat kishte gabuar gjithçka. Kurse Laschet nuk ka bërë hapa falsë: i ka qëndruar besnik programit të tij dhe linjës së Merkel. Për këtë është vlerësuar. Koalicioni kuqjeshil i drejtuar nga Hannelore Kraft ka rënë keq: Guvernatorja në largim ka lënë të gjitha postet në SPD dhe të Gjelbërit kanë humbur gjysmën e votuesve të tyre. Euforisë për Martin Schulz sot i mbetet vetëm kujtimi. Për disa javë është dukur sikur SPD-ja i kishte punët vaj. Socialdemokratët qenë bindur se nuk do të duhej ta mbanin përgjithmonë shenjën e humbësit dhe kishin zbuluar se armiqësia e votuesve mund të transformohej në miratim. Në fund të fundit, ndodh që qytetarët të tërhiqen nga një personalitet politik apo nga një parti dhe më pas të mërziten shpejt me të. Është një prej tipareve të këtij modernizmi të dominuar nga interneti. Gjithsesi, kurioziteti ndaj Schulz ka shërbyer të paktën për të ridimensionuar vëmendjen e ekzagjeruar që viteve të fundit i është kushtuar partisë së djathtë ekstreme Alternative für Deutschland (Afd).
Thuhet se zgjedhjet në Rinin e Veriut–Vestfali janë zgjedhje federale në miniaturë, jo vetëm prej numrit të lartë të votuesve, 13 milionë, por edhe prej pasigurisë që karakterizon dhe që pasqyron atë të të gjithë vendit. Në këtë land, kuptimi i pasigurisë lind nga një situatë e veçantë: e likuiduar industria e qymyrit dhe e çelikut, rajoni e ka humbur optimizmin e tij dhe luhatet midis melankolisë dhe inkoshiencës, siç e demonstrojnë rezultatet elektorale. Rini i Veriut–Vestfalia është pezull midis një të kaluare të idealizuar dhe një të ardhmjeje të pasigurtë, por edhe midis SPD-së dhe CDU-së. Mbrëmjen e zgjedhjeve në asnjë rajon tjetër gjerman rezultatet e të dyja partive nuk kanë qenë kaq të paqarta dhe në evolucion konstant. Në nivel kombëtar, luhatjet nuk janë edhe kaq ekstreme sa ato që regjistrohen përgjatë Rinit dhe në Ruhr, por gjithsesi janë të dukshme. Nga njëra anë është pakënaqësia e gjermanëve që duan ndryshim. Nga ana tjetër është një dëshirë e fortë për stabilitet, e një qeverie në gjendje që të rezistojë edhe në kohë turbullirash globale.
Sot është kjo aspiratë e dytë që mbizotëron. Votuesi gjerman zgjedh atë që njeh: Angela Merkel. Megjithatë, edhe këtij afirmimi është më mirë të mos i besohet shumë. Nëse ka një gjë për të cilën mund të jesh i sigurtë, ajo është që lojërat mund të ndryshojnë në mënyrë gjarpëruese: paralajmërimi i drejtohet sidomos kristiandemokratëve, që mund të binden se tashmë i kanë fituar zgjedhjet e shtatorit. Suksesi i Partisë Pirate në Rinin e Veriut–Vestfali në zgjedhjet e 2012 qenë konsideruar sinjali i shfaqjes së partive të reja. Piratët dukeshin protagonistët e një ere të re politike. Pastaj ka ardhur AfD-ja, e cila ka peshkuar konsensuse jo në internet, por në të djathtën ekstreme. 5 vite më pas, zgjedhjet demonstrojnë se partitë e reja mund të vdesin dhe ato të vjetra mund të rilindin. Sot piratët janë zhdukur, AfD-ja është në krizë dhe liberaldemokratët e FdP-së kanë filluar të rriten: më 14 maj kanë siguruar 12.6% të votave. Me pak fjalë, zgjedhjet në Rinin e Veriut–Vestfali na mundësojnë që të hedhim një vështrim në të ardhmen e vendit.

“Süddeutsche Zeitung”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA