FBI, debatet nuk ndalen

The FBI's J. Edgar Hoover Headquarters, acros the street from the Deparment of Justice, in Washington, Wednesday, Nov. 2, 2016. (AP Photo/Cliff Owen)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përqendrua dje tek fjalimi përpara udhëheqësve myslimanë në samitin në Riad, ndërsa edicionet e lajmeve në SHBA u dominuan nga debati për shkarkimin e kreut të FBI-së, James Comey dhe hetimet për lidhje me Rusinë të anëtarëve të ekipit të tij elektoral.
Dy zyrtarë kryesorë, sekretari i Shtetit, Rex Tillerson dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster, thanë në intervista se në një takim më datë 10 maj me dy diplomatët rusë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump e përmendi shkarkimin e zoti Comey për të provuar se sa i shpërqendruar kishte qenë nga hetimet e drejtuara prej tij për lidhje të mundshme të ekipit elektoral Trump me interesa të Moskës, si një mënyrë për ta ndihmuar të fitonte zgjedhjet.
Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, zoti Trump i tha ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe ambasadorit të Moskës në SHBA, Sergey Kislyak, se zoti Comey ishte “vërtet i lajthitur” dhe se shkarkimi i tij do t’i hiqte “një presion të madh”. Disa ligjvënës demokratë thonë se heqja e zyrtarit që drejtonte hetimin është pengim i drejtësisë, pra një shkelje që parashikohet si kriter për të zhvilluar një proces hetimor në Kongres për të shkarkuar Presidentin.
Një tjetër artikull i po kësaj gazete tregon se në shënimet e zotit Comey nga një takim i muajit shkurt me Presidentin Trump, pasi ai pati shkarkuar një ditë më parë këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare Michael Flynn, përshkruhet se si Presidenti i pati kërkuar zotit Comey që ta mbyllte hetimin për telefonatat e zotit Flynn me ambasadorin rus Kislyak.
Këshilltari aktual i Sigurisë Kombëtare, McMaster, i tha kanalit televiziv “ABC” se, “thelbi i bisedës ishte se Presidenti ndjehej i paralizuar në aftësitë e tij për të punuar me Rusinë për të gjetur hapësira të përbashkëta bashkëpunimi, pasi kjo çështje ka qenë shumë e trajtuar nga mediat”.
Sekretari Tillerson i tha kanalit televiziv “Fox News” se Presidenti Trump u mundua t’u transmetonte gjithashtu rusëve se ai “nuk do të shpërqendrohej nga gjithë këto çështje të brendshme”.
Senatori republikan John McCain, një ndër kritikët e shpeshtë të Presidentit Trump, i tha kanalit “Fox News” se kishte mbetur “pothuajse pa fjalë” kur mësoi se Presidenti Trump kishte përshkruar me këto terma negative zotin Comey. Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar këtë sulm ndaj zotit Comey, por ka dënuar rrjedhjen e informacionit nga takimi në Zyrën Ovale.
“Nuk kuptoj pse mund të shprehej dikush në këtë mënyrë”, tha senatori McCain, por nuk tha se shkarkimi i zotit Comey ishte një përpjekje për të penguar hetimet e FBI-së.
Senatori McCain u shpreh se, “nuk mendoj se ky ishte një veprim i mençur. Zoti Comey respektohej së tepërmi dhe gëzonte reputacion të lartë, prandaj nuk mundem të gjej një shpjegim”.