Euro nuk arrin të marrë veten në tregun vendas

Monedha e përbashkët europiane ka hyrë sërish në trend rënës që nga fillimi i muajit maj. Dje në tregun vendas 1 euro këmbehej 134.87 lekë, shumë pranë nivelit më të ulët të vitit. Prej një viti monedha e përbashkët ka pësuar një zhvlerësim të ndjeshëm në tregun vendas. Në të njëjtën datë një vit më parë, 1 euro këmbehej me 138.3 lekë, 3.5 lekë më shumë se dje. Shkak për këtë zhvlerësim sipas ekspertëve ka qenë mbioferta në valutë, ku edhe pse kursi i këmbimit në këtë periudhë është i zhveshur nga efektet sezonale, euro vazhdon që të dobësohet. Monedha e zhvlerësuar ka pasur ndikim edhe tek tregtia me jashtë, pasi për shkak të forcimit të monedhës vendase, eksportet shqiptare (veçanërisht të industrisë fason) janë bërë më të shtrenjta. Ndikim ka pasur edhe në prodhimin vendas, ku sipas aktorëve të tregut zhvlerësimi i euros i ka bërë importet më të lira. Sipas tyre, përveç faktorëve të jashtëm dhe aktivitetit normal, ka ndikuar edhe aktiviteti kriminal. Euroizimi i ekonomisë ka vënë në lëvizje edhe Bankën e Shqipërisë, e cila ka nisur të hartojë një plan masash për të ulur përdorimin e euros në vend.