Ekonomia e prapambetur, prodhimi industrial në krizë të papreçedentë

Instituti i Statistikave njoftoi se prodhimi industrial i Shqipërisë ra për të nëntin tremujor me radhë, duke shënuar një krizë të paprecedentë. Sipas INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, vëllimi i prodhimit industrial vendas ra me 11 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të 2015-ës, duke konfirmuar krizën e gjatë të sektorit. Të dhënat tregojnë se, kriza ka përfshirë të gjithë spektrin e industrisë, si atë nxjerrëse ashtu dhe industrinë përpunuese. Sipas tabelave, në industrinë nxjerrëse, prodhimi ra me mbi 20 për qind, ndërsa në atë përpunuese, ai u tkurr me 1.8 për qind. Kriza e industrisë vendase ka nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2014. Sipas INSTAT, që pas shtatorit të 2014-ës, prodhimi industrial i vendit ka ardhur gjithmonë në rënie, duke pasqyruar krizën e thellë që kalon sektori i naftës dhe ai i minierave, por edhe degët e tjera të industrisë, përfshirë atë përpunuese. Shqipëria është vendi me industrinë më të prapmbetur në rajon, e cila reflektohet qartë në peshën që ky sektor zë në ekonominë kombëtare. Sipas BERZH, në Shqipëri sektori i industrisë zë vetëm 14 për qind të ekonomisë, ndërkohë që në rajon mesatarja është dy deri në tre herë më e lartë. Përveç Malit të Zi që ka një nivel të ngjashëm, në të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, pesha e industrisë në ekonomi varion nga 18 deri në 27 për qind.  Pesha e ulët e industrisë tregon se, Shqipëria ka një ekonomi të prapambetur, e cila bazohet kryesisht tek bujqësia dhe sektorët e tjerë që kanë pak vlerë të shtuar. Produktiviteti i ulët është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajonin e Ballkanit.