Dridhet Juventusi

Liga e Kampionëve është një ëndërr, një objektiv i madh, por ndoshta edhe një trampolinë për të nisur një cikël të ri, sepse shpeshherë ka ndodhur që lojtarë ose talente të mëdhenj t’u japin lamtumirën klubeve të tyre me një sukses të tillë. Natyrisht që te Juventusi nuk është se kanë këtë gjë në plan, përkundrazi duan ta përforcojnë edhe më shumë këtë skuadër që sivjet ka qenë ekzemplare, por nga ana tjetër janë të shumtë “peshkaqenët” që kanë ndjerë erën e “gjahut” dhe janë gati që të bëjnë të tyrin ndonjë prej këtyre “diamanteve” që ka në dispozicion trajneri Masimiliano Alegri.
Ato më të rrezikshmit janë disa prej klubeve angleze që duan të ringrihen shpejt në elitë, në Premier dhe aq më shumë në Europë, prandaj Juventusi është “supermarketi” i duhur për të bërë blerjet e duhura. Pas dëshirave për Dibalanë apo Bonuçin, Kielinin e të tjerë, së fundmi, media angleze në kor lëshon bombën: Mançester Junajtid dhe Çelsi janë gati të ofrojnë 100 milionë stërlina (120 milionë euro) për Gonzalo Higuainin.
“Pipita” shihet si përforcimi i duhur në sulm për të dyja skuadrat, kjo e shtyrë edhe nga fakti se bomberat e klubeve respektive mund të përshëndesin këtë verë.
Zhoze Murinjo sheh te sulmuesi argjentinas i Juves zëvendësuesin ideal të Zlatan Ibrahimoviçit dhe kur bëhet fjalë për emra të tillë si juventini, Mançester Junajtid nuk është nga ato klube që e ka problem të lëshojë shifra marramendëse, siç bëri verën e kaluar me një tjetër ish-lojtar të Alegrit, mesfushorin Pol Pogba, të paguar 110 milionë euro.
Fakti që pas dëmtimit të pësuar në ligamente Ibra mund të zgjedhë të transferohet në SHBA, kjo shtyn Murinjon dhe Junajtid që të kërkojnë të joshin me çdo kusht Gonzalo Higuainin, duke i garantuar atij edhe një mal me miliona, të paktën 15 milionë euro në sezon, dyfishin e asaj që fiton aktualisht në Torino.
Nga ana tjetër, edhe Çelsi duhet të bëjë llogaritë me të ardhmen e Diego Kostës, i cili duket i joshur nga shifrat e çmendura që vijnë nga Kina. Prandaj, trajneri Antonio Konte i ka kërkuar miliarderit Roman Abramoviç pikërisht numrin 9 të Juves, për t’i dhënë të njëjtën peshë sulmit të tij, në pritje të sezonit të ardhshëm.
Natyrisht që edhe te blutë e Londrës, kampionët e saposhpallur të Premier Ligës, jo vetëm paratë për kartonin, por edhe një pagë e denjë për Higuainin nuk do të ishte aspak problem. Me pak fjalë, “gjuetia” ka nisur.