Çadra që vrau frikën

Irma KOPLIKU

Për të matur vlerën reale të gjërave gjithmonë duhet të kalojë pak kohë. Por, në të vërtetë, që sot mund të them se kam filluar të perceptoj vlerën reale të Çadrës së Lirisë. Pikërisht sot, në Shkodër, tek takoja bashkëqytetarët e mi, pashë se shpresa nuk ka humbur, se ende mund të besojmë në një ditë më të mirë. Dhe mendoj se, padyshim, ky është hapi i parë i madh. Sot takova shumë prej atyre që protesta për votën e lirë na kishte bashkuar shpeshherë në Çadrën e Lirisë, dhe papërjashtim, të gjithë kishim një shije fitoreje. Nuk dua të jem patetike si dhe më shumë entuziaste se duhet. E di se shumë kush do të më thotë, a do të mendojë, se është ende herët, por ajo që më nxit është se kjo protestë qytetare ishte shenja e qartë se në shoqërinë tonë kurajoja po triumfon mbi frikën.
Me shumë përulësi, e ndjej veten shumë mirënjohëse ndaj atyre që këto 90 ditë u bashkuan me ne në Çadrën e Lirisë, sidomos shkodranëve, që kanë qenë pika më e fortë e mbështetjes së protestës qytetare. I shpreh atyre mirënjohjen dhe falenderimin tim, jo vetëm si deputete e PD-së, por së pari si qytetare, sepse kauza për të cilën u bashkuam nuk kishte të bënte vetëm me një forcë politike, por me thelbin dhe moralin e shoqërisë tonë. Sepse, demokracia pa moral shoqëror nuk ekziston, dhe themeli i moralit në një demokraci janë padyshim vota dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
Falenderoj, veçanërisht, të gjithë ata shkodranë që erdhën të mbështesnin Çadrën e Lirisë, që ishin një shembull i vërtetë i protestës qytetare, duke mos u dorëzuar dhe duke vijuar çdo ditë “me durimin e pikës së ujit që gërryen edhe gurin”. Besoj se shoqëria shqiptare dhe sidomos klasa politike kanë kaq shumë për të mësuar prej tyre.
Besoj se tani pak rëndësi ka se kush do të fitojë, pasi populli do të jetë ai që vendos. Ajo që mjafton është të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse do t’ia arrihet, atëherë ajo Çadër ka plotësuar një detyrë të madhe morale ndaj shoqërisë shqiptare dhe vlerave të vërteta të lirisë.