Bombë me celular lokalit afër stadiumit në Elbasan

Një sasi eksplozivi është vendosur në një lokal pranë stadiumit “Elbasan Arena” në Elbasan, por fatmirësisht nuk shpërtheu. Eksplozivi do të aktivizohej me celular në distancë, por Policia e Elbasanit dhe njësia xheniere e RENEA-s çaktivizuan pakon me lëndë shpërthyese të vendosur në hyrje të Havana Club në rrugën “Emin Matraxhiu”, pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Nuk dihen ende motivet e ngjarjes, por dyshohet se shënjestra ishte pronari i lokalit, Nik Brraka, një person me precedentë të mëparshëm i dënuar për trafik armësh, drogë dhe korrupsion.
Ishte ai vetë që konstatoi lëndën plasëse të vendosur në shkallët e lokalit. Menjëherë pas mbërritjes së policisë, banorët që rrezikoheshin u evakuuan nga policia. Burimet thanë se bëhej fjalë për 150 gram tritol brenda pakos së çaktivizuar nga policia.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë nga ana jonë ku në lagjen “Emin Matraxhiu”, në shkallet e një lokali  u konstatua se ishte një pako e dyshuar me lëndë plasëse, ju informoj se pas mbërritjes së ekspertëve antieksploziv të RENEA-s rezultoi se në pako kishte lëndë shpërthyese. Nga ana e ekspertëve u bë çaktivizimi i lëndës plasëse, e cila ishte e vendosur në pjesën e jashtme të shkallëve të bodrumit të lokalit. Sasia ishte rreth 150 gr lëndë plasëse e dyshuar tritol. Në lidhje me këtë rast, paraprakisht policia mori të gjitha masat, duke bërë evakuimin e personave, të mjeteve si dhe vendosi perimetrin e sigurisë. Grupi hetimor në vendngjarje po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Pak ditë më parë 300 gram tritol u gjendën dhe u çaktivizuan nga ekspertët në rrugën në afërsi të Teatrit “Skampa” të këtij qyteti.
Po ditën e djeshme dy automjete pranë Gjykatës së Rrethit në Elbasan janë përfshirë nga flakët. Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Nuk raportohet për të lënduar. Dyshimet janë për një defekt elektrik që ka sjellë edhe flakët tek makina “Benz” dhe më pas zjarri ka përfshirë dhe mjetin tjetër.

Kush është biznesmeni që iu vu tritoli

Besnik Braka, 52 vjeç, është babai i pronares së lokalit në Elbasan ku paraditen e djeshme u gjet një sasi eksplozivi. Braka, njihet edhe edhe me emrin Nik Vojaçek. Raportohet se lokali ku u gjet pakoja me 150 gram tritol rezulton në emër të vajzës së Besnik Brakas, një emër i njohur për policinë.
Nik Braka është ekstraduar në tetor të vitit 2013 nga Mynihu i Gjermanisë drejt vendit tonë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me vendim të datës 12 janar 2009, me 14 vjet burg për kryerjen e veprave penale të “trafikim armësh dhe municionesh”, “prodhim e shitje narkotikësh”, “prodhimit dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Në vitin 2003, në kufirin me shtetin grek janë sekuestruar një sasi e madhe fishekësh luftarakë dhe në vitin 2004 është sekuestruar një sasi prej rreth 510 gr heroinë e një armë zjarri pistoletë, ku nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor ishte i ekstraduari, Nik Vojaçek.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden në Gjermani u bë i mundur arrestimi i tij më datë 5 shtator 2013, në Wqidhaus-Bavari, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Ndërsa më pas, Besnik Braka ose Nik Vojaçek është arrestuar në 15 dhjetor të vitit 2015 për korrupsion ndaj një gjyqtari në Durrës. “Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Durrësit për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarit me 2 vjet burg në mungesë”, thuhet në njoftimin e Policisë në vitin 2015.

R.POLISI