Bie kupola e mafias

Zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë larg, ndërsa e gjithë vëmendja e opinionit do të përqendrohet gjatë ditëve të ardhshme tek mënyra se si do të zhvillohet fushata dhe tek fondet e saj. Shqetësimi i opozitës ka qenë dhe mbetet përdorimi i parave të pista të drogës dhe krimit të organizuar që janë kthyer në institucion gjatë këtyre katër viteve të fundit.
Mesazhin e forcës së imponuar nga opozita gjatë 90 ditëve të protestës dhe të konkretizuar me një marrëveshje ku Rama ka lëshuar gjysmën e qeverisë dhe ministritë kryesore të tij duhet ta marrin të parët ushtarët e krimit. Kupola e mafies do të rrëzohet. Kjo do të jetë e pashmangshme dhe një luftë permanente e opozitës së sotme dhe PD në pushtet qeveri nesër. Por lufta nuk do të nisë pas 25 Qershorit, por menjëherë. Ushtarët e krimit bëjnë mirë që të zhduken sa më parë. Koha e tyre ka mbaruar. Kush guxon që të investojë paratë e drogës dhe të krimit për blerjen e votave do të përballet me fundin e lirisë së tij. 30 ditët e fushatës elektorale do të jenë ditë ferri për të gjithë ata që do të guxojnë të prekin lirinë e votës së shqiptarëve.
Vendit duhet dhe do t’i rikthehet liria e votës. Shqiptarët e kanë vrarë frikën nga kjo kupolë mafioze dhe janë gati të përballen me ta dhe me të gjithë njerëzit që ata do të mbështesin në fushatë. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se Rama nuk do të mund të jetë më garanti i tyre në krye të qeverisë. Atij i ka rënë tashmë ky pushtet. Këtë pushtet do ta marrin shqiparët.

Marrëveshja

Marrëveshja për vendosjen e drejtuesve teknik në 7 institucione qëndrore dhe pesë drejtori të rëndësishme, bën të mundur frenimin e një mase të konsiderueshme të manipulimit apo përdorimit të administratës në zgjedhje. Gjithashtu i bën bllokadë dhe parave që vijnë nga aktivitetet kriminale, si dhe monitoron në mënyrë të imtësishme implikimin e personave kriminalë, në kërkim apo trafikantë, të cilët kohët e fundit janë kthyer në një problem shqetësues në zgjedhjet e të gjitha llojeve. Duhet theksuar se përgjithësisht, ministrat apo drejtorët që do të vijnë propozohen nga Partia Demokratike, si një formë  garancie që ajo merr për zbatimin e ligjit dhe krijimin e mundësive të barabarta në votimet e 25 qershorit.
Ministria e Brendshme është një nga ministritë më të përfolura për lidhjet me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Prej dy muajsh këtë ministri e drejton Fatmir Xhafaj, pas shkarkimit nga Rama të ish-ministrit  Tahiri.  Ministria e Brendshme, supozohet të jetë dhe barrikada kryesore për paratë e aktivitetit kriminal kryesisht të vitit të shkuar, kur Shqipëria prodhoi me mijëra ton kanabis, për t’i trafikuar jashtë vendit. Marrja e kësaj ministrie, do të bëjë të mundur evidentimin dhe ndalimin e veprimtarisë të elementëve kriminal, që janë rekrutuar në masë sidomos muajt e fundit. Shqetësimin për përdorimin e parave të drogës në fushatë zgjedhore e hodhi përpara ca muajsh dhe ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Bernd Bochart kur tha se, jashtë sistemit qarkullojnë rreth 2 miliardë dollarë që janë rrezik potencial për t’u përdorur në fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Problemet e keqpërdorimit të administratës

Problemet e përdorimit të administratës në zgjedhje erdhën duke u bërë shqetësuese, sidomos pas vitit 2013. Në rast se më parë në raporte theksohej si shqetësim, por që nuk kishte ndikuar në rezultat, zgjedhjet e 2015-ës shënuan një kthesë tjetër. Të gjitha resurset njerëzore dhe materiale të qeverisë qendrore në këtë vit u vunë në shërbim të kandidatëve të mazhorancës. Njerëz me poste të larta në administratë, ishin në ballë të fushatës, madje akoma më keq ishin ata që bënin sekserin direkt në pagesa apo premtime për vende pune. Të tilla fenomene u vunë re ngado. Kavaja për shembull është shembulli ku një kryetar Bashkie që kishte besimin e kryeministrit, ka vënë në rresht jo vetëm institucionet që varen prej tij, por edhe ato që janë në varësi të qeverisë qendrore. Në CEZ, në Tatime, në Zyrat e Punës, Drejtorinë Arsimore, Drejtorinë e Policisë ngado janë persona, të cilët gjatë kohës së fushatës angazhohen qartësisht në blerje votash dhe manipulime, të propozuar në ato poste nga ish- kryetari i Bashkisë Roshi, një njeri me të shkuar kriminale dhe kreu i PS-së, Daja. Ky lloj modeli është shtrirë në të gjithë vendin, Durrës, Korçë, Elbasan, Fier, Vlorë, Sarandë e ngado. Rrjetet sociale janë mbushur me kryetarë partish që mbajnë poste si drejtorë hipotekash, drejtorë tatimesh, drejtorë punësimi, drejtorë transporti, që përdorin ofiqet e tyre dhe personat në varësi për fushatë elektorale, pavarësisht faktit se ligji e ndalon.
Opozita do ketë kontrolluesin e saj në të paktën 6 ministri, si dhe në postin e zëvendëskryeministrit. Bëhet fjalë për Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë. Mund të thuhet se janë gjashtë ministritë më të rëndishme të ingranazhit shtetëror, që kanë dhe organigramën më të madhe të personelit dhe jo vetëm kaq. Ministria e Financave për shembull, do të kontrollojë dhe financimet e fushatës, dhe kalimin e fondeve shtetërore për tendera fiktivë, apo marifete të tjera me qëllim financimin e partive të mazhorancës. Pra, është një mozaik institucionesh, të cilat në rast se menaxhohen ashtu siç duhet minimizojnë në maksimum rriskun e manipulimit të votave me anë të implementimit të parasë në to, dhe shfrytëzimit të resurseve. Neni 63 i Kodit Zgjedhor është i qartë në lidhje me këtë çështje, kur flet për sanksionet e administratës në fushatë zgjedhore. Personat që gëzojnë statusin e Nëpunësit Civil e kanë kategorikisht të ndaluar, ndërsa personat e vendosur politikisht u ndalohet të përdorin karburantin, mjetet apo resurset njerëzore në aktivitetet e tyre partiake.
Zv/Kryeministri, do të jetë personi, i cili do monitorojë të gjithë punën e Kryeministrit dhe vendimet që merr, të cilat mund të favorizojnë partinë e tij në fushatën zgjedhore. Deri më tani këtë post e ka mbajtur Niko Peleshi.

Ministritë që do të detyrohen ti largojnë duart nga zgjedhjet

Eshtë një tjetër institucion që do të kontrollohet nga opozita. Eshtë ajo që bën disbursimin e fondeve në fushatë elektorale, nëpërmjet tenderave fiktivë, të cilat më pas kalohen në llogaritë e partive që kanë pushtetin. Por jo vetëm kaq, kjo ministri disburson nga buxheti pagesat për karburantet apo firmosjen e “dietave” për militantët që angazhohen në fushatë. Nga ky institucion kalojnë pagesat për koncesionet, apo PPP-të e famshme, apo fonde për rrugë që shtrohen vetëm në prag fushatash. Por jo vetëm kaq. Në varësi të Ministrisë së Financave, janë dhe Doganat dhe Tatimet, punonjësit e të cilës u vunë re të merren masivisht me fushatë në zgjedhjet e Dibrës. Të gjithë i kujtojnë skenat e makinave të doganave dhe tatimeve të mbuluar me flamujt e Rilindjes, ndërkohë që askush nuk vepronte.

Ministria e Arsimit,
Eshtë aktualisht ministria më e përfolur për abuzime me resurset e administratës ende pa filluar zyrtarisht fushata. Autobusët e mbushur me nxënës, shkojnë sa në një takim në tjetrin, kur flet Edi Rama, dhe të gjitha këto me urdhër të Lindita Nikollës. Drejtoritë Arsimore, dhe drejtoritë e shkollave të të gjitha niveleve janë kthyer në çerdhe të militantëve të PS-së, duke infektuar dhe gjimnazistët. Dyert e shkollave të mesme janë hapur për militantët e FRESSH që bëjnë propagandë të hapur, sidmos 18 vjeçarëve që votojnë për herë të parë, duke u premtuar favore në këmbim të votës, dhe duke dhënë modelin më të keq tek të rinjtë. Ministri i ri do të ketë si detyrë primare frenimin e këtij fenomeni.

Ministria e Shëndetësisë,
Ka në varësi të gjitha Drejtoritë e Spitaleve, Shëndetit Publik, Institutin e Kujdesit Shëndetësor, në qendër e rrethe, të cilat jo pak herë janë kthyer në seli partie dhe punësimi për militantët. Në organikën e saj, ka mjekë, infermierë, laborantë,  etj., që jo në pak raste janë bërë pre e shantazhit politik në çdo fushatë zgjedhore. Ministria e Shëndetësisë, në jo pak raste është përdorur për favore elektorale, duke tejfryrë administratën me militantë, e gjitha në kurriz të mjekëve që punojnë atje. Dhe kjo ministri gjatë muajve të ardhshëm do të jetë nën kontrollin e opozitës me ministrin e propozuar prej saj.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Rinisë,
është institucioni që përgjigjet për punësimin në vend. Zyrat e saj në të gjithë vendin janë kthyer në zyra elektorale të PS-së. Në jo pak raste këto zyra shërbejnë për të punësuar militantë me detyrim në aktivitetet private. Gjithashtu ky institucion ka në varësi dhe shpërndarjen e ndihmave ekonomike, apo ato për invalidët që jo në pak raste bëhen në mënyrë preferenciale dhe në drejtim të atyre që se meritojnë dhe kjo në këmbim të votës. Edhe ky institucion tashmë, do të jetë nën kontrollin e opozitës dhe do kalohet në lupë aktiviteti i tij.

Ministria e Drejtësisë,
do të ketë më shumë si synim monitorimin e drejtësisë përgjatë fushatës elektorale, vendimeve të kolegjit apo dhe implementimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi. Opozita ka deklaruar se në seancën e parë të Kuvendit, ku do të votohet dhe qeveria e re do të ngrejë kartonin dhe për miratimin e Komisioneve të Vettingut. Përgjatë të paktën katër muajve të ardhshëm, kjo ministri do të ketë si synim zbatimin e disa prej ligjeve dhe të procesit që pritet të fillojë së shpejti.