Berisha paralajmëroi marrëveshjen e re

Marrëveshja e 18 majit, megjithë debatin politik që ka shkaktuar kryesisht tek opinionistët politikë dhe partitë e vogla që ndjehen të rrezikuara, për nga natyra dhe rëndësia e saj pritet të regjistrohet në analet e historisë politike të Shqipërisë. Është i bindur për këtë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e paralajmëroi këtë marrëveshje gati 3 javë më parë gjatë një interviste dhënë për “Tonight Ilva Tare”, kur tha se: “vendi ka nevojë për një marrëveshje të re politike. Mendoj se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë frymëzuese për konkludimin e një marrëveshjeje të re dhe jam i bindur se këtyre politikanëve do t’i mbetet merita e marrëveshjes së re”.
Por dekriptimi i deklaratës së bërë 3 javë më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha, nxjerr në pah edhe një tjetër qëllim se përse do të shërbente një “Marrëveshje e re”: “Pro vetëm një marrëveshjeje të re që do të çonte Shqipërinë të sigurtë në Europë”, ka saktësuar ish-kryeministri Sali Berisha. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë se garancia e kësaj marrëveshjeje që ka mbërritur në unison nga BE dhe SHBA, është se me implementimin e saj, vendi duket se do të përshpejtojë rrugëtimin e vet drejt aspiratës më të padiskutueshme që kanë shqiptarët, anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Marrëveshja sot është arritur dhe palët janë vënë në punë për ta vënë në zbatim.
Ndërsa edhe një herë si përherë, dikush e parashikoi, punoi dhe ndihmoi që kjo “marrëveshje e re” të vihej në jetë dhe ai e bëri këtë nën aureolën e heshtur dhe pa pretenduar asnjë kredit për këtë në respekt të vlerësimit që ish-ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i bëri atij vite më parë, atëherë kur e quajti atë “burrë shteti”.