Berisha: Një marrëveshje nga e cila fiton vendi!

Arritja e marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri, është një fitore për të gjithë vendin. Kështu e ka komentuar ish-Kryeministri Sali Berisha, marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha shkruan se kjo ishte fitorja më e madhe e shqiptarëve, ndërsa ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për asistimin e tyre në zgjidhjen e krizës politike që kishte përfshirë vendin.
“Një marrëveshje nga e cila fiton vendi! Të dashur miq, drejtuesit e dy partive kryesore të vendit firmosën sot një marrëveshje, me të cilën i dhanë zgjidhje njërës prej krizave politike më të rrezikshme të këtyre 26 viteve të fundit, që prej disa muajsh kishte rrokur vendin. Në këtë kontekst, mendoj se çdo shqiptar duhet të ndjehet vërtet i lehtësuar për zgjidhjen me mjete politike të kësaj krize që kërcënonte në mënyrën më serioze ekzistencën e pluralizmit politik në Shqipëri, themelet kushtetuese të shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Kështu që pa u ndalur në një analizë të hollësishme, e them me bindje të plotë se me këtë marrëveshje ka fituar Shqipëria dhe se për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirisë, marrëveshja është një win-win story.
Me këtë rast të dashur miq, le te shprehim mirënjohjen tonë më të thellë ndaj miqve tanë të respektuar europianë dhe amerikanë për ndihmën e tyre tejet të çmuar që dhanë në arritjen e kësaj marrëveshjeje, si dhe ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që vendosën sakrificën e tyre në themel të saj, si dhe ndaj të gjithë atyre, që me angazhimin serioz bënë të mundur këtë marrëveshje të një rëndësie historike për Shqipërinë!”, shkruan ish-Kryeministri Berisha.