Berisha-Çakos: Sa autobusë solle nga rrethet në mitingun e Ramës?

Ish-Kryeministri Berisha i është drejtuar me një pyetje drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako se sa autobusë solli nga rrethet për takimin elektoral të PS-së. Më 18 maj, Policia e Shtetit publikoi një raport ku saktësonte se sa mjete nga jashtë Tiranës kishin ardhur për në protestë. Për këtë arsye, Berisha e pyet nëpërmjet një postimi në Facebook, nëse i ka numëruar autobusët e PS-së që sollën pjesëmarrës në mitingun e Ramës. “Një pyetje për të “depolitizuarin” Çako! Sa autobusë, mikrobusë, automjete të tjera sollën dje nga rrethet pjesëmarrësit në mitingun e Ramës. Apo i ke sekret ato të PS??”, shkruan Berisha.
Të enjten dhjetëra autobusë nga rrethe të ndryshme të vendit si dhe urbanët e kryeqytetit u mbushën me militantë të PS për të mbushur sheshin e boshatisur tek “Piramida” për mitingun e Ramës. Autobusët me mercenarët e Ramës nga rrethe të ndryshme të vendit janë shoqëruar nga forcat e policore për të mbërritur në Tiranë tek sheshi ku do të zhvillohej mitingu i PS. Në mitingun e opozitës që u zhvillua më 13 maj, policia e Çakos i bllokoi autobusët për një kohë të gjatë në postblloqet e ngritura posaçërisht, gjoja se do të kontrollonte për kartat e identitetit dhe dokumentat të tjera identifikuese për personat që udhëtonin me autobusa. Jo vetëm kaq, por policia bëri edhe numërimin e autobusëve me protestues të opozitës.