BE paralajmëron Ramën për koncesionet e borxhet e bashkive

Bashkimi Europian fton Shqipërinë të shtojë vigjilencën ndaj rregullit fiskal lidhur me një administrim më të mirë të rreziqeve që vijnë nga kontratat koncesionare me partneritet publik privat dhe borxhet e qeverisë vendore.
Këto rekomandime janë bërë në kuadër të publikimit të programit të reformave ekonomike që do të bëhet sot nga Komisioni Europian për vendet kandidate, ndër to edhe Shqipëria.
Në kuadër të këtij programi nga të cilat do të burojnë edhe kriteret ekonomike për anëtarësimin, BE vë në dukje se duhen ndjekur rregullat fiskale duke u siguruar që objektivat mbi shpenzimet dhe të ardhurat, si dhe objektivi mbi deficitin të arrihen.
Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të përforcojë konsolidimin fiskal duke përmirësuar kornizën fiskale, në veçanti të forcohet plani i buxhetit në afatmesëm duke fuqizuar Parlamentin që të vendosë tavanin e detyrueshëm 3-vjeçar dhe të tregojë qartë se, cilat fonde janë përmbushur në mënyrë efektive dhe cilat janë shpenzimet e reja nën tavan dhe gjithashtu të adoptojë ligjet fiskale që sigurojnë qëndrueshmërinë e borxhit dhe transparencën.
BE i kërkon qeverisë të vazhdojë të adresojë rreziqet ndaj qëndrueshmërisë financiare dhe të ekonomisë reale duke ndjekur një plan veprimi të kredive të këqija, që është një strategji afatmesme për promovimin e përdorimit të monedhës vendase në sistemin financiar.
Në këtë proces, politika e Bankës së Shqipërisë mund të qëndrojë lehtësuese për sa kohë udha e konsolidimit fiskal mbetet e favorshme, por rreziqet e lidhura me vazhdimin e politikave lehtësuese duhet të vlerësohen me kujdes.
Gjithashtu, kërkohet zbatimi i plotë i detyrimeve nën Traktatin e Komunitetit të Energjisë, në veçanti të liberalizimit të aktiviteteve transmetuese dhe shpërndarëse në sektorët e energjetikës dhe gazit, në mënyrë që të përmirësohet siguria energjetike dhe të lejojë që të hyjnë në treg operatorë të pavarur.
Më tej, BE kërkon një fuqizim më të madh të kapaciteteve administrative në drejtim të regjistrimit të pronave dhe në implementimin brenda 2019 të kadastrës fiskale. Gjithashtu, implementimi i procedurave elektronike në dhënien e lejeve të ndërtimit do të implementohet në realitet në mënyrë që të reduktohen barrierat administrative për investimet. Më tej BE kërkon më shumë vëmendje nga autoritetet shqiptare për reforma në tregun e punës dhe sidomos uljes së papunësisë ndër të rinjtë.