Barça e “përkëdhelur”

Rast unik në futbollin botëror. Barcelona në këtë sezon nuk ka shkaktuar asnjë 11-metërsh duke regjistruar një fakt tepër interesant në botën e futbollit. Të shumta kanë qenë penalltitë në favor të katalanasve, madje në disa raste kanë ngjallur edhe dyshime. Mjafton të kujtojmë penalltinë ndaj PSG në Champions League dhe atë ndaj Eibar në kampionat. Faktet e tregojnë qartë, Barcelonën mund ta quajmë me “plot gojë” si skuadra më e “përkëdhelur” e arbitrave për sa i përket 11-metërshave.
Ndërkohë, mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique është hedhur sërish në sulm ndaj Real Madridit. Ai ka deklaruar se madrilenët nuk do ta fitojnë Champions Ligën. Pique është shprehur se, Juve meriton tripletën, ndërsa “Topi i Artë” shkon për Buffon. Pique shprehet se ky takim do të jetë përballja e dy ekipeve të mëdha, por për katalanasin ata që vijnë si favoritë janë bardhezinjtë. “Në finale do të jenë dy skuadra të mëdha që kanë lënë gjurmë në historinë e futbollit. Juventusi është një ekip që ka evoluar shumë kohët e fundit, falë edhe disa lojtarëve me eksperiencë që ata kanë, siç janë Buffon, Dani Alves, por edhe shumë të tjerë. Do të jetë një garë në të cilën nuk do të ketë shumë gola. Juventusi ka mbrojtje të fortë, elementë që arritën ta vërtetonin edhe në sfidën ndaj nesh. Do të jetë një finale e madhe”, është shprehur Pique.
Përsa i përket garës së “Topit të Artë”, Pique i ka idetë e qarta. Sipas tij nëse bardhezintjë fitojnë përballë Realit, atëherë Buffon e meriton plotësisht këtë trofe.
“Deri më tani Juventusi ka arritur të fitojë Kupën e Italisë, kampionatin dhe nëse fiton edhe Championsin për mua Topi i Artë duhet të shkojë për Buffon. E meriton plotësisht suksesin në të dy garat, pas gjithë sukseseve që ka arritur në karrierën e tij”, përfundoi Pique.
Edhe pse Barcelona nuk arriti dot të fitonte titullin kampion në La Liga, sërish një nga emrat më të rëndësishëm që ka kjo skuadër ka arritur të lërë gjurmë. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” Lionel Mesi falë 37 golave të realizuara në 34 ndeshje në kampionat është shumë pranë fitimit të Këpucës së Artë. Është argjentinasi, ai që mban vendin e parë në këtë renditje, duke sfumuar të gjithë rivalët e tij. Ky sukses i numrit 10 të blaugranave barazon rekordin e sulmuesit të Real Madrid, Cristiano Ronaldo, i cili këtë sezon në La Liga ka arritur të realizojë vetëm 25 rrjeta, me portugezin që për këtë vit është jashtë listës së Top 10 golashënuesve më të mirë.