Alegri do të qëndrojë

Juventusi shpallet matematikisht kampion i Italisë një javë para përfundimit të Serisë A. Bardhezinjtë fituan 2-0 me Crotonen në “Juventus Stadium”, me tifozët vendas që shpërthyen në festë për titullin e gjashtë radhazi, nga 33 në total, një rekord më vete ky në futbollin italian. Mario Mandzukic dhe Paulo Dybala me një ekzekutim perfekt të një goditjeje të lirë në pjesën e parë dhe finalizimi me kokë i Alex Sandro në të 84-rën mjaftuan për zyrtarizimin e këtij titulli, që është i treti radhazi për trajnerin Masimiliano Alegri në po kaq sezone në krye të bardhezinjve.
Një tjetër sezon i futbollit italian i dominuar nga Juventusi, që brenda pak ditësh bëri të tijën si Kupën e Italisë, ashtu edhe trofeun e Serisë A, ndërsa qershia mbi tortë mund të jetë Champions League, ku në finale kampionët e Serisë A do të përballen me Realin e Madridit.
Juventusi mbetet thjesht i pakonkurrueshëm në kampionatin italian, madje pati luksin që linte plot 7 pikë në tri ndeshje radhazi para sfidës me Crotonen, për ta zyrtarizuar titullin para tifozëve bardhezinj. Feston titullin e parë në Serinë A Gonzalo Higuain, që me 24 golat e tij ka qenë pika më e fortë e sulmit bashkë me bashkëkombasin e tij Paulo Dybala.
Giuseppe Marotta beson se Alegri do të vazhdojë të drejtojë Juventusin. Festa e titullit të 6 kampion radhazi, e tashmja, por mbi të gjitha mendohet edhe për të ardhmen, për këtë të fundit ka vetëm një konfirmim, Masimiliano Alegri do të vazhdojë të drejtojë Juventusin edhe për sezonin e ardhshëm. Konfirmimi vjen nga drejtori sportiv i bardhezinjve, Giuseppe Marotta, i cili krahas vlerësimit maksimal për trajnerin, beson se bashkëpunimi mes palëve do të vazhdojë.
“Raporti mes Alegrit dhe të të gjithë komponentëve të shoqërisë bardhezi është i mirë dhe jam besimplotë se bashkëpunimi mes nesh do të vazhdojë dhe se do të jetë ai trajner i skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Alegri ka bërë një punë shumë të mirë dhe meriton vlerësimin maksimal nga të gjithë ne. Është treguar një profesionist i vërtetë në mënyrën se si ai menaxhoi ekipin”, u shpreh Marotta.
Marotta risjell në kujtesë se nuk ishte e thjeshtë të zëvendësojë ish-teknikun e Juventusit, Antonio Conte me një tjetër trajner. Sipas drejtorit të Përgjithshëm ishte një vendim që u mor në kohë rekord pasi nuk mund të lihej ekipi pa trajner. “Tre vite më parë u gjendëm përballë një situate të vështirë, pasi largimi i befasishëm i Antonio Contes na gjeti të papërgatitur dhe se gjetja e një emri të ri nuk ishte e lehtë. Ishte një vendim i marrë në kohë rekord, pasi nuk mund ta linim Juventusin në atë gjendje. Vendimi ishte një gjetje perfekte nga ne, pasi morëm një trajner me mentalitet fitues”, tha ai.