Aksidenti i rëndë në Lushnjë, 3 të plagosur, njëri në koma

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Lushnjë, pikërisht në zonën e quajtur Rotondo e Plugut, ndërsa janë plagosur tre persona. Një makinë tip “Reno Clio” ka goditur trafik ndarësen dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra larg saj. Mësohet se në makinë udhëtonin tre persona, 1 mashkull rreth të 30-ve dhe dy vajza, 30 dhe 16 vjeç, ndërsa nuk bëhen ende të ditur emrat e tyre.
“Djali është në gjendje shumë të rëndë, por edhe dy vajzat kishin pësuar lëndime të mëdha. Kishin dalë komplet nga rruga, madje disa metra larg. Erdhi ambulanca dhe i mori të tre, shpresoj të mos jetë shumë serioze dhe të mos humbasë jetën asnjëri”, tha një dëshmitar.
Ndërkohë, një aksident me vdekje u shënua në Pogradec mbrëmjen e 19 majit. Kamioni tip “Benz” me targa AA 362  KK, ka dalë nga rruga për pasojë drejtuesi i mjetit, një 24 vjeç, i identifikuar me inicialet E.M, humbi jetën, ndërsa u plagos shoku i tij pasagjer, një djalë 20 vjeç, i identifikuar me inicialet E.Z. Mësohet se 20-vjeçari pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Pogradecit, do të transportohet në Tiranë për mjekim më të specializuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.