A është e ardhmja e paracaktuar?

Realiteti është konsideruar gjithmonë si diçka konkrete, e dallueshme dhe jashtë vetes tonë. Ëndrrat i kemi trajtuar vetëm si pjesë të gjumit kurse jetën tonë zgjuar si një botë krejt të veçantë nga bota jonë fantastike e natës.
Ëndrrat ndoshta mund të japin zgjidhje ndaj problemeve të përditshme dhe e ardhmja mund të vendosë të shfaqë veten në to. Mund të mos qëndrojë më thënia se ata që shohin ëndrra në mes të ditës nuk ecin në jetë.
Sipas disa zbulimeve të botuara nga psikologia Hazel Markus e Universitetit të Miçiganit, “ëndrrat ditore” ose përfytyrimi, duket se është një pjesë integrale e mënyrës se si e perceptojmë ne veten tonë, përparimin tonë në të ardhmen dhe rolin tonë në univers.
Vetet tona të mundshme që ne përfytyrojmë në tren, ndërsa po shkojmë në punë, kur shkojmë të bëjmë pazarin ose gjatë një pushimi në punë mund të na ndihmojnë për të përballuar të pranishmen dhe për të kontrolluar më mirë të ardhmen dhe ne mund ta shtrijmë këtë kontroll deri në ëndrrat tona.
Ideja e kontrollit të ëndrrave njihet në Perëndim qysh nga 1950 kur psikologu Kilton Stjuart botoi raporte mbi fisin Senoi të Malajzisë, të cilët u mësonin fëmijëve të tyre se si t’i trajtonin ëndrrat. Ai raportonte se njerëzit e fisit Senoi besonin se çdo ëndërr duhet të jetë e tillë që të japë një rezultat pozitiv.
Të rinjtë që shihnin ëndrra të këqija inkurajoheshin që t’i tregonin ëndrrat e tyre dhe këshilloheshin që ta përballonin atë që i frikësonte ata dhe pastaj të mësonin se si t’i trajtonin ëndrrat.
Parimi është se ata do të mësonin të bënin të njëjtën gjë edhe në realitet. Këtu nuk ka asgjë të re. Ka rreth 5000 vjet që këtë e bëjnë okultët dhe mistikët. Ajo që është e re është fakti që shkenca e fizikës, në përgjithësi esëll, ka filluar të përpiqet që të shpjegojë lidhjet e mjegullta midis vizioneve tona dhe realitetit.

Biokthimi
Teoria konsiston në atë që ëndrrat dhe përfytyrimet ose vizionet, me versionin e tyre të një realiteti alternativ, funksionojnë sipas parimit të biokthimit. Kështu, ajo që përfytyrojmë ne që do të na pëlqente të ndodhte, aktualisht ndodh mbi ne si një motivues subkonshience që udhëzon hapat tona në rrugën e së ardhshmes që përfytyrojmë ne.
Eksperimentet tregojnë se njerëzit që gjykohen si të suksesshëm nuk mendojnë kurrë për dështimin si një alternativë e mundshme për ta (gjë që nuk do të thotë se ata nuk janë të ndërgjegjshëm për ekzistencën e dështimit). Po ashtu, njerëzit që duket se i ka mbërthyer fati i keq, shpesh e gjejnë veten të bllokuar në një sindromë autonegative. Këta të fundit nuk janë në gjendje të besojnë se mund të arrijnë t’i shpëtojnë fatit të keq dhe të realizojnë ambiciet e tyre.
Dera që hap kjo teori e “veteve të mundshme” nuk është gjë tjetër veçse dera e Interpretimit të Botëve Shumëfishe në teorinë e kuanteve, propozuar nga fizikanti Hugh Everet III, pranuar me simpati nga shumë kozmologë. Sipas kësaj teorie, sa herë që ne marrim një vendim të ndërgjegjshëm ne krijojmë një numër pambarim degëzimesh nga e sotmja deri në të ardhmen, disa prej të cilave do të përfundojnë me rezultatin që ne dëshirojmë.
Arsyeja që ne jemi të ndërgjegjshëm mbi ekzistencën të vetëm një linje bote (në një çast të vetëm të paktën), thotë Everet, është se këto botë ekzistojnë në plane paralele ekzistence.
Teoria e Everetit nënkupton se forca e ëndërrimeve tona, në njëfarë mase, është përgjegjëse për formimin e realitetit të së ardhmes tonë personale duke krijuar kështu aktualisht realitetin tonë.
Fizikantët teoricienë, që janë pararojë e profesionit të tyre, duket se bien dakord me këtë. Paskual Xhordan ishte ndër të parët që propozoi një interpretim të realitetit të ndryshëm nga Universi orar i Njutonit, ide që u pritën me kundërpyetjen e akullt të Ajnshtajnit, “Mendoni vërtet se Hëna ekziston vetëm kur ju e vështroni?”.
Ajnshtajni, një besues i vendosur i parashikueshmërisë, donte të shfuqizonte idetë e Xhordanit. Megjithatë, për ironi, pyetja e tij përmblodhi thelbësisht atë që do të vinte.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga kjo ngjarje, kur babai i mekanikës së kuanteve, fizikanti Neils Bor, bëri deklaratën e tij tronditëse se, për sa i takonte fizikës, “Nuk ka realitet të thellë (të plotë)”.
Si rrjedhojë, i gjithë Universi, ashtu siç e njohim, nuk është më shumë se një konglomerat potencialesh që fitojnë vlerë kontekstuale në çastin që ne përqendrojmë vëmendjen tonë mbi to. Menjëherë pas deklaratës së Borit, matematicieni Neuman paraqiti Teoremën e tij lidhur me shpjegimin e realitetit.
Sipas Teoremës së tij, i gjithë kozmosi është “i krijuar nga vrojtuesi” ose më qartë, “është ndërgjegjja e vrojtuesit që krijon realitetin”. Pra, kjo ishte edhe si një përgjigje ndaj pyetjes së Ajnshtajnit: Hëna nuk ndodhet atje kur ne nuk e vështrojmë.
Kjo përputhet shumë bukur me atë që kanë thënë gjatë të gjitha kohëve magjistarët dhe mistikët: “Bota që shohim përditë është një iluzion i ndjenjave. Prandaj realiteti është diçka ‘tjetër’ dhe kështu që përfytyrimi është i nevojshëm për të bërë që të funksionojnë magjepsjet dhe ekstazat”.
Kontributin përfundimtar mbi këto çështje duket se e ka dhënë një fizikant tjetër, J.A.Wheeler, një mbrojtës i vendosur i asaj që ai e quan “fizika e njohjes”. Me fjalë të tjera, një realitet ku vrojtuesi mund të krijojë llojin e gjësë që ai shikon. Pra, jemi të ndërgjegjshëm apo jo, formimi i realitetit duket se ka vazhduar gjatë të gjitha kohëve. Por, a mund ta kontrollojmë ne?
“Sigurisht, thotë Markus, ne mund ta kontrollojmë atë brenda disa limiteve të arsyeshme që mbeten akoma për t’u përcaktuar”. Ajo vazhdon të shpjegojë se vetet tona të mundshme të ëndrrave tona dhe të vizioneve tona, janë “komponentë të vetëkonceptit që ka të bëjë me atë që unë mund të jem, me atë që unë do të doja të isha dhe me atë, që ka shumë rëndësi, se çfarë kam unë frikë të bëhem”.
Ajo zbuloi se “vetet tona të mundshme janë motivues të fuqishëm dhe janë efektive në udhëzimin e veprimit”. Pra, është e mundur, për ata që janë të interesuar, që të realizojnë vizionet e tyre qofshin të suksesshme ose të pasuksesshme.
Për ata që janë të interesuar të shikojnë se si funksionon vizioni ose përfytyrimi ose për ata që thjesht duan ta vënë në provë atë që pretendohet këtu, Markus ofron metodën e mëposhtme.
1. Mendoni atë që ju nuk doni të ndodhë. Përfytyroni gjendjen më të rëndë në të cilën ju mund të hyni ose të ndodheni. Prezantimi juaj me atë që ju keni frikë më shumë nuk duket se do t’i përmirësojë gjërat, por ju ndihmon juve që të analizoni atë që ju nuk doni t’ju ndodhë në asnjë mënyrë. Kjo është, kuptohet, më mirë se sa të jetoni nën hijen konstante të një pasigurie të mjegullt dhe nën frikën e së panjohurës.
2. Tani analizoni situatën tuaj aktuale. Vlerësoni potencialin tuaj, aftësitë dhe drejtimin aktual në jetë.
3. Përfytyroni fuqishëm veten tuaj siç do të dëshironit të bëheshit. Përpunojeni këtë “vete” sa më shumë që të jetë e mundur. Jepini sa më shumë realizëm që mundeni. Bëjeni përfytyrimin të gjallë dhe specifik. Imagjinoni se si do të dukeshit, se si do të ndjeheshit dhe se si do të vepronit po të realizohej ëndrra juaj. Familjarizimi me synimin tuaj do të tentojë të ushqejë suksesin.
Këto janë tri udhëzimet bazë. Të thjeshta, por mund të ndryshojnë jetën tuaj.

A krijon vetëdija botën materiale?

Steven Bancarx

Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, është e rëndësishme të shikojmë se çfarë e bën botën materiale. Dhe “realiteti” nuk është i përbërë nga copa të vogla të materies? Molekulat e materies janë të përbëra nga grimca subatomike, si protonet dhe elektronet dhe zënë vetëm 0,000000000001% të “realitetit”. Me fjalë të tjera 99,99999999999% të atomit përbëhet prej hapësire të zbrazët. Pjesa që nuk është e zbrazët është e përbërë nga kuarke, të cilat janë pjesë e një fushe që përbëhet nga kordat vibruese që krijojnë grimcat elementare në varësi të frekuencës së vibrimit të tyre.
Ndërveprojmë në një botë të objekteve fizike, por kjo është për shkak se truri ynë i interpreton të dhënat ndijore në një mënyrë të caktuar. Në shkallë më të vogël dhe më elementare ideja e “realitetit fizik” është jo ekzistente. Babai i mekanikës kuantike, Neils Bohr ka thënë: “Ajo që ne e quajmë ‘realitet’ nuk përbëhet nga gjërat që ne mund të konsiderojmë si të vërteta. Në qoftë se fizika kuantike nuk ju ka shokuar ju ndoshta nuk e keni kuptuar atë”. Kur ju prekni duart tuaja me njëra-tjetrën ajo çfarë ndodh është që hapësira boshe takon hapësirë boshe. Komponentët e materialit nuk kanë strukturë fizike.
Kjo është e rëndësishme për ta kuptuar sepse në qoftë se ju mendoni për botën materiale si një botë e përbërë nga grimca të vogla si topa apo bila atëherë ideja se vetëdija krijon realitet nuk ka asnjë kuptim. Kur të kuptojmë se realiteti është një konstrukt kozmik i energjisë dhe hapësirës së zbrazët atëherë bëhet e qartë se mendimet tona dhe sinjalet e regjistruara në tru dhe këto kanë të njëjtën veçori në formën më elementare. Mendimet tona janë gjithashtu një aktivitet i universit dhe të gjitha aktivitetet ndodhin në hapësirën kuantike para se të ndodhin në realitet.
Ndërgjegjja është problemi më i madh që ka për të zgjidhur shkenca. Nuk ka asnjë mënyrë për të shpjeguar se si diçka materiale e tillë si një proces kimik ose fizik mund të krijojë diçka jolëndore si për shembull, përvoja. Nuk ka asnjë arsye që të ekzistojë përvoja subjektive apo vetëdija. Natyra do të punonte po aq mirë, pa subjektivitetin, kur ne jemi duke u përpjekur për të hetuar shkencërisht origjinën dhe natyrën e vetëdijes gjejmë supozime se vetëdija dhe realiteti nuk janë aq gjëra të ndryshme si shkenca jonë fizike na ka bërë të besojmë.
Më poshtë gjeni disa parimeve të mekanikës kuantike të listuara në librin “The Self-Aëare Universe” e profesorit të fizikës teorike, Dr. Amit Gozëami:

1) Valëzimi
Një objekt kuantik (për shembull, një elektron) mund të jetë në më shumë se një vend në të njëjtën kohë. Ai mund të shihet si një valë që përhapet jashtë në hapësirë dhe mund të gjendet në të njëjtën kohë në pika të ndryshme të valës.

2) Ndërprerjet
Një objekt kuantik mund të pushojë së ekzistuari në një vend në të njëjtën kohë për të dalë diku tjetër pa bërë një udhëtim të ndërmjetëm. Ky është hapi kuantik. Teletransportim.

3) Veprimi nga distanca
Shfaqja e një objekti kuantik për shkak të vëzhgimit tonë ndikon njëkohësisht objektin shoqërues binjak, pa marrë parasysh se sa larg është ai. Nëse hidhet një elektron dhe një proton i një atomi, çfarë pëson elektroni, të njëjtën apo pikërisht të kundërtën do të pësojë protoni. Ky është aksioni kuantik në distancë. Ajnshtajni e quajti atë veprim të ngjethshëm.

4) Efekti i vëzhguesit
Një objekt kuantik nuk mund të konsiderohet i shfaqur në realitetin e kohës dhe hapësirës, derisa të mund të vëzhgohet si një grimcë. Një objekt kuantik ekziston si një valë derisa të vëzhgohet direkt. Vetëdija mund të bëjë funksionin valor të grimcës të pësojë kolaps. (efekti i vëzhguesit).
Kjo pikë e fundit është shumë interesante, sepse kjo nënkupton se pa një vëzhgues, nuk shkaktohet ndonjë kolaps dhe qëndron natyrisht jo i shfaqur, në një gjendje probabiliteti të pastër. Vëzhgimi jo vetëm që prish atë çfarë është për t’u matur, por prodhon rezultat. Kjo është verifikuar në eksperimentin që është i njohur si “eksperimenti i të çarës së dyfishtë”. Në këtë eksperiment prania e një vëzhguesi të ndërgjegjshëm arriti të ndryshojë sjelljen e një elektroni nga një gjendje valore në gjendje grimcore. Kjo është e njohur si “efekti i vëzhguesit” dhe trondit themelet e asaj që është menduar deri më tani se është e vërtetë rreth botës natyrore.