“90 ditët në protestë”, Marjeta Luka tregon arsyet përse ishte në çadër

Për ata që morën pjesë në protestën e Partisë Demokratike, qëndrimi në çadër ishte një mundësi për të folur publikisht për shqetësimet e tyre dhe për t’ia prezantuar këto liderit të opozitës. Marjeta Luka është njëra nga protestueset e Partisë Demokratike, dhe sot ajo tregon se si me vendimin e protestës më në fund ia ka arritur qëllimit, duke sjellë ndryshimet në qeveri e duke krijuar një klimë miqësore për qytetarët. Marjeta Luka protestoi për 90 ditë në çadrën e ngritur përballë Kryeministrisë. Nëna e 4 fëmijëve nuk është e angazhuar politikisht me Partinë Demokratike dhe duket se nuk ka ndonjë aspiratë në këtë drejtim. Tani që protesta u mbyll dhe çdo gjë iu kthye normalitetit të lëvizjes, ajo thotë se ndihet më e qetë, pasi ia arritën synimit. Marjeta Luka: Qetësia shihet në sytë e qytetarëve, në punën e tyre, në komunikimin e tyre, gjithçka. Them të mos zhgënjehem nga kjo shpresë, më beso ja ka vlejtur shumë. Thotë se ka patur arsye që ka qëndruar në këtë protestë, janë fëmijët dhe e ardhmja në Shqipëri. Marjeta Luka: Kam djalin që ka mbaruar Teknologji Informacioni, të mesmen, dhe më thotë: O ma, për çfarë të vazhdoj shkollën këtu në një vend pa shpresë, pa të ardhme, ku nuk kam siguri për asgjë. Dua të shkoj. Nuk është gjynah që të gjithë të rinjtë të shkojnë. E konsideron qëndrimin në çadër si një mundësi për të folur hapur, njohje më drejtpërdrejtë me lidershipin e partisë dhe anasjelltas. Marjeta Luka: Fjalët e Bashës, fjalët e qëndrestarëve, të gjithëve që janë thënë aty, komunikimi që është bërë aty. Aurela, zonja e kryetarit opozitar Lulzim Basha me fisnikërinë, me thjeshtësinë, me komunikimin e saj, u ka dhënë qytetarëve me të vërtetë një shpresë dhe besim. Thotë se shqiptarët kanë mjaft arsye përse duhet të protestojnë, e kjo nuk duhet të ndodhë sa herë thirren nga partitë politike.