12 historitë e nxehta të verës

Verën e shkuar, martesa e Murinjos dhe Guardiolës me klubet e Mançesterit zuri titujt kryesorë të lajmeve. Këtë herë janë futbollistët ata që do të zënë vëmendjen më të madhe me 6 klubet kryesore të Anglisë që do të kërkojnë të përforcohen, ashtu si dhe superfuqitë europiane: Barcelona, Reali dhe PSG. Një numër i madh futbollistësh do të zënë skenën kryesore të historive më interesante këto muaj të nxehtë, nga më të mirët e Premier Ligës (Hazard, De Gea, Sançez dhe Lukaku), deri tek emrat botërorë të Grizmanit apo Hames Rodrigezit, të cilët pritet të transferohen në ishull.
Romelu Lukaku
Lukaku është golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Premier Ligë dhe sapo ka festuar 24-vjetorin e tij. Trajneri i Çelsit, Antonio Konte, është një tifoz i belgut dhe kërkon të bindë hierarkinë e klubit që ta risjellë në “Stamford Bridge”, pasi e shitën atë për 28 milionë paund në vitin 2014. Një konkurrent i kampionëve do të jetë Mançester Junajtid, edhe pse Zhoze Murinjo ishte trajneri që e largoi nga Londra. Portugezit i duhet një sulmues qendre pas dëmtimit të rëndë të Ibrahimoviçit, por ai duhet ta ndajë mendjen se Lukaku është sulmuesi për të cilin ka nevojë. Kartoni i tij llogaritet te 65 milionë paundët dhe veç Çelsit e Mançester Junajtid, për të interesohet edhe Bajerni.
Kilian Mbape
I destinuar që një ditë të zëvendësojë Pogbanë si lojtari më i shtrenjtë në histori dhe mund të ndodhë që këtë verë. 18-vjeçari është etiketuar si superylli i ardhshëm i kësaj loje dhe u bë lojtari më i ri që ka shënuar në një gjysmëfinale Champions-i. Për shërbimet e sulmuesit janë të interesuara thuajse të gjitha klubet e njohura të Europës, përfshirë Mançester Junajtid dhe Arsenalin nga Premier Liga, por Reali është favorit, pasi parashikojnë që ai të formojë një treshe të pandalshme në sulm së bashku me Ronaldon dhe Bejlin.
Hames Rodrigez
Shënoi golin më të bukur në Botërorin e fundit për Kolumbinë, por Rodrigez nuk u bë dot një “galaktik” i vërtetë në “Bernabeu”. Ai u sakrifikua nga Zidan për më tepër siguri në mesfushën defensive që jep Kasemiro. Reali po kërkon një blerës për 25-vjeçarin dhe Junajtid është i interesuar për ta paguar vlerën e 60 milionë paundëve që spanjollët kërkojnë minimalisht për ta shitur, sepse e blenë 63 milionë paund nga Monako më 2014. Veç Murinjos, ai pëlqehet edhe nga Guardiola. Mund të kemi një derbi në Mançester.
Eden Hazard
Reali kërkon gjithnjë më të mirët dhe Hazard është cilësuar gjithnjë si sulmuesi më i mirë në Premier Ligë këtë sezon, edhe pse Kante i rrëmbeu çmimin e lojtarit të sezonit. 26-vjeçari admirohet nga Zidani dhe shitja e Hamesit mund të subvencionojë këtë superlëvizje. Pengesa e vetme është vetoja e Kontes, i cili do të nisë ndërtimin e skuadrës së re për Champions-in. Hazard duhet të nisë rebelimin nëse dëshiron të largohet, ashtu siç bëri Bejl te Totenhemi. Kartoni i tij vlerësohet 80 milionë paund dhe nëse do të largohet, do të shkojë vetëm te Reali.
David de Gea
Është ende një mister përse De Gea nuk shkoi në “Bernabeu” dy vite më parë, kur dy klubet ranë dakord. Por ndjesia është se portieri spanjoll do të kthehet në shtëpi. Vendimi i Murinjos për të luajtur me Romeron dhe Pereiran në dy ndeshjet e fundit në kampionat, ndoshta është përgatitje për jetën pa ish-portierin e Atletikos. Kartoni i kushton 35 milionë paund.
Antuan Grizman
Murinjo dëshiron një tjetër superyll, me Ibrën që ndoshta nuk do të jetë më pjesë e skuadrës dhe kush më mirë se ikona e futbollit francez do të vishte këpucët e suedezit. Atij do t’i ofrohet një kontratë faraonike për të shkuar në “Old Trafford”. Sulmuesi i Atletikos është identikiti perfekt i asaj që kërkon Murinjo: një lojtar me cilësi teknike që jo vetëm të shënojë, por edhe të krijojë. Kushton 85 milionë paund dhe veç Junajtid, i interesuar është edhe Arsenali.