Zidane: Arbitri ndikoi në ndeshje, por ne e merituam

Zinedin Zidan nuk e ka mohuar që gabimet e arbitrit kanë ndikuar në rezultatin e takimit, gjithsesi ai mendon se është kualifikuar skuadra më e mirë për në gjysmëfinale.
Arbitri – “Ndeshja u kushtëzua nga gjyqtari, por unë nuk dua të flas për arbitrimin. Në harkun e dy takimeve, ne e kemi merituar më tepër kualifikimin”.
Goli i Ronaldos – “Ishte në pozicion jashtë loje, por janë gjëra që ndodhin. Kristiano arriti të shënonte tri herë dhe u tregua vendimtar për vazhdimësinë e Realit në gjysmëfinale”.
Bajerni – “Ka qenë shumë e vështirë. Kemi eliminuar mbase ekipin më të fortë të kompeticionit. Kemi besuar deri në fund dhe më vjen mirë që realizuam objektivin tonë. E dinim që nuk kishte për të qenë e lehtë”.
Ançeloti – “Bisedova me të pas ndeshjes, por nuk mund t’u tregoj se çfarë kemi thënë”.
Kundërshtari – “Kushdo që do të jetë përballë nesh në gjysmëfinale, ka për të qenë rival i vështirë. Gjithsesi, Juventusi është një ekip me të vërtetë shumë i fortë…”.
Vërshëllimat ndaj Ronaldos – “Ka raste që tifozët kanë të drejtë. Kur ta meritojë, le ta vërshëllejnë. Por, nuk besoj që ai është nga ata futbollistë që e meriton”.