Zaneti: Vitin tjetër jemi për titull

Havier Zaneti siguroi tifozët e Interit se me “Suning”-un klubi do të ketë një të ardhme të artë. Zëvendëspresidenti i Interit tha për “Reuters”-in se, familja Zhang i kishte vendosur qëllim vetes që të dërgonte zikaltrit mes dhjetë skuadrave më të mira të botës.
-Ti je njëri prej atyre që kanë pasur mundësinë t’i japin Interit trofe si lojtar dhe tani po bën maksimumin edhe në rolin e trajnerit…
Ne fituam për shtatë vite radhazi dhe ishte normale që pas tripletës dhe ndërrimit të pronarit plot dy herë në tri vite të mbyllej cikli. Tani jemi në një moment, ku po mundohemi të ndërtojmë një ekip të rëndësishëm. Pronarët e rinj duan që Interi të futet mes dhjetë ekipeve më të mira të botës. Ne po punojmë për këtë qëllim, por e dimë se nuk është aspak e lehtë dhe se nuk arrihet gjithçka nga mëngjesi në mbrëmje. Duhet kohë dhe një plan strategjik.
-A keni ndonjë recetë që do t’ju garantojë suksesin edhe në të ardhmen?
Një ekip i madh ndërtohet, duke grumbulluar lojtarë të mirë me vlera njerëzore. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të rikthehemi në Ligën e Kampioneve, në habitatin tonë natyror. Duhet që të shpenzojmë në mënyrë të zgjuar, duke kërkuar lojtarët, të cilët u korrespondojnë karakteristikave të profileve që na duhen.
-Ju jeni fokusuar edhe tek stadiumi…
Interi ka gati një projekt për “San Siro”-n prej gati një viti. Shpresoj shumë që situata të përmirësohet sa më shpejt të jetë e mundur. “San Siro” është njëri prej stadiumeve më të bukur në botë, prandaj rimodelimi dhe modernizimi i tij do të ishte një hap mjaft i rëndësishëm për ne.
-Kinezët kanë vullnet për të investuar…
“Suning” respekton identitetin dhe historinë e Interit, prandaj po bëjmë gjithçka që skuadra të rikthehet edhe një herë në nivelet e saj më të larta.
-Çfarë mendon për postin që të kanë dhënë?
Për mua është një sfidë e madhe. Falënderoj shoqërinë për besimin që më ka dhënë. Që kur mbërrita në Milano në 1995 kuptova menjëherë se Interi do të ishte shtëpia ime. Për mua do të jetë gjithmonë me rëndësi.
-Si e vlerësoni këtë sezon?
Në këtë sezon nuk kemi qenë ata që do të donim të ishim. Kemi treguar shumë pak nga potenciali ynë i vërtetë, prandaj them se vitin që vjen do të jemi gati të luftojmë për titull.