Vrasësi e priti komisarin 90 minuta përpara pallatit

Publikohen të tjera pamje të autorit të vrasjes së ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Artan Cuku. Video i përket dy kamerave të sigurisë së një biznesi në pallatin ku banonte Cuku dhe është marrë në dy kënde të ndryshme. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, vrasësi ka pritur para pallatit të ish-drejtorit të Policisë për më shumë se 90 minuta derisa është shfaqur Cuku me familjen e tij. Në pamjet filmike duket se, ora shënon 18:53 minuta, rreth një orë e 27 minuta afërsisht përpara atentatit.
Nga pamjet duket tek sa personi i veshur me tuta të zeza, atlete sportive, dhe një bluzë me zinxhir me ngjyrë blu të errët vjen nga rruga kryesore. Duart i mban në xhepa, ku dyshohet se aty mund të ketë fshehur armën, ngjit një palë shkallë të tjera, nëpërmjet të cilave ai del në pjesën perëndimore të objektit, ku ndodhen disa dyqane të boshatisura ku dyshohet se ai ka qëndruar në pritje të Cukut. Teksa ngjit shkallët, ai mban kokën ulur, ndërsa një kapele e bardhë me strehë, i mbulon pamjen e fytyrës. Pasi kapërcen mbrojtëset e hekurta, humbet nga rrezja e kamerave të sigurisë.
25 metra më tej ndodhet hyrja e pallatit ku banonte Artan Cuku. Policia po kërkon një person rreth 170 cm të gjatë me trup mesatar. Këto pamje publikohen një javë, pasi policia nxori imazhe të autorit pas vrasjes së Cukut. Po ashtu, policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 10 milionë lekësh të reja, për çdo person që do të ndihmonte policinë me informacione të vlefshme për identifikimin e autorëve të vrasjes.

Merren në pyetje të afërm të Cukut

Ndërkohë, grupi hetimor ka marrë në pyetje të afërm të familjes së Cukut, por edhe pse priteshin me interes për hetimet, dëshmitë nuk kanë qenë ndihmëse për policinë. Pjesëtarët e familjes dhe të afërm të ish-oficerit të lartë të Policisë kanë treguar para grupit hetimor gjithçka dinin për aktivitetin e tij dhe pistat mbi të cilat dyshojnë.
Ata kanë deklaruar se i ndjeri kishte mbyllur problemet me familjen e Agim Dakës që u vra në zyrën e tij në vitin 2005 dhe se nuk besonin që krimi të jetë pasojë e gjakmarrjes. Po ashtu, të afërmit janë shprehur se ish-drejtori i Policisë së Vlorës nuk ishte ankuar ndonjëherë për probleme që lidheshin me funksionet e larta që kishte mbajtur për shumë vite në polici. Ata kanë kërkuar nga Prokuroria dhe Policia të zbardhin ngjarjen dhe të kapen autorët.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në dy pista për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë, Artan Cuku. Sipas Prokurorisë, vrasja për shkak të detyrës dhe konfliktet e mundshme pas largimit nga Policia e Shtetit, janë dy pistat kryesore. Prokuroria ka nisur verifikimin e të gjitha ngjarjeve të rënda, ku ish-drejtuesi Cuku është përfshirë si gjatë ushtrimit të detyrës në polici ashtu edhe pas largimit nga organizata e forcave të rendit.

Dy pistat e hetimit

Një nga pistat kryesore ku Prokuroria po heton për vrasjen e ish-drejtuesit Cuku, është ajo për shkak të punës që kryente në Drejtorinë e Policisë në Vlorë. Ku me iniciativën e tij, Cuku ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda në Vlorë, mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur si “Pusi i Mezinit”.
Pas kryerjes së ekspertizës, rezultoi se, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku është qëlluar pas shpine dhe në kokë me 4 plumba nga dy persona, ndërsa Cuku nuk ka qëlluar me armë zjarri ndaj vrasësve të tij. Nga ekzaminimet shkencore nuk janë gjetur mbetje baruti, të cilat ngelën në dorë në rastet e qitjeve. Gjurmë të tilla janë konstatuar vetëm në vendet, ku ai ka patur plagë. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, Artan Cuku është qëlluar me 4 plumba, 1 pas shpine, 2 në kokë dhe 1 në anën e djathtë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja, 5 të kalibrit 7.65 milimetër dhe 2 të kalibrit 9 milimetër.

R.POLISI