Vota në këmbim të provimit të maturës

Të gjithë gjimnazistëve të Rroskovecit u është premtuar kalimi në provimet e maturës nëse votojnë për PS. Kryetarja e Bashkisë së Rroskovecit, Majlinda Bufi dhe dy drejtoreshat e gjimnazeve të këtij qyteti kanë marrë gjimnazistët në ekskursion, ndonëse ishte ditë pushimi, dhe u kanë premtuar se do t’i kalojnë të gjithë nëse votojnë për Partinë Socialiste. Skandali është denoncuar nga një gjimnazist, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe videon ku krybashkiakja dhe dy drejtoreshat u premtojnë gjimnazistëve kalimin e shkollës nëse ata votojnë për PS.
“Banditistan: Bashkiakët e Roskovecit piknik elektoral me gjimnazistë! Gjimnazisti dixhital denoncon Ndrikullën e Bashkisë së Roskovecit dhe dy ndrikullat drejtoresha të dy gjimnazeve që organizojnë piknike elektorale dhe premtojnë se po votuan për PS-në do të kalojnë pa problem provimet e maturës, sikundër duke mashtruar me lekë për të blerë votën”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin dhe videon që ka dërguar gjimnazisti dixhital.
“Para 2 orësh tek liqeni i Kurjanit të gjithë ne që jemi këtu, jemi maturantë në gjimnazin “Adem Vrapi”, Rroskovec dhe “Didin Bishani”, Kurjan. Sot është një ditë pushimi dhe e nderuara zonja Majlinda Bufi me në krye dy drejtoreshat e këtyre dy gjimnazeve na premtuan që nëse i japim votën Partisë Socialiste, ne do të kalojmë pa problem provimet e maturës. Dhe disave prej nesh, duke i mashtruar me lekë dhe duke i blerë votën”, shkruan gjimnazisti.