Tremujori i dytë, bizneset shmangin planet e investimeve, bie në pikiatë kërkesa për kredi

Të paktën për tremujorin e dytë të vitit, bankat kanë shmangur kërkesën për kredi në banka. Planet e tyre të investimeve janë shtyrë edhe për shkak të krizës politike që po përjeton vendi, sipas pohimeve që kanë dhënë shoqatat e biznesit. Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e kredisë për tremujorin e parë të 2017-s, pohoi se bizneset kanë raportuar në nivele negative kërkesën për kredi në tremujorin e dytë të vitit. Edhe pse sektori i korporatave vlerësohet se është i mbingopur, bizneset kanë pasur qasje pozitive në kërkesën për kredi në tremujorët e kaluar, pavarësisht se bankat e kanë refuzuar këtë kërkesë. Por tashmë anketimi i Bankës së Shqipërisë zbardhi faktin se, kërkesa e korporatave për kredi në tremujorin e dytë shënoi rënie me 9%. Banka Botërore javën e kaluar parashikoi që rritja mesatare ekonomike e Shqipërisë do të mund të jetë në nivelin 3.5-3.6% në tre vitet e ardhshme. Por, ky projeksion mund të cenohet për shkak të tensioneve politike të brendshme që ekonomistët e Bankës Botërore i shohin si i vetmi rrezik për ecurinë e ekonomisë. Hilda Shijaku, ekonomiste e BB-së, tha se, “tensionet politike mund të ndikojnë në klimën e biznesit dhe të ngadalësojnë progresin e reformave strukturore dhe konsolidimin fiskal”. Duke konsideruar shqetësues mungesën e stabilitetit politik, bizneset pak ditë më parë kanë pohuar për “Monitor” se, këto zhvillime do të kenë kosto në ekonomi. “Nëse kalojmë në një situatë të mungesës së rendit publik, të mosbindjes civile, atëherë është shumë e mundur që elementi kriminal të vërshojë rrugëve dhe të kërcënojë pronat, pasuritë dhe funksionimin e bizneseve”, thotë Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve shqiptare. Sipas tij, “qeverisja ‘e keqe’ është gjithsesi më e mirë sesa banda më e mirë”. Ndërsa Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se biznesi po e ndjek me interes të gjithë situatën që po kalon vendi. “Arsyeja është se gjithmonë në momentet përpara zgjedhjeve ka sfumatura, dinamika, tendenca të reja”, thotë ai.