Tonelatat e drogës në Portin e Durrësit, Prokuroria sekuestron kamerat e sigurisë

257

Prokuroria e Krimeve të Rënda administroi në dosje, pamjet e kamerave të sigurisë së Portit të Durrësit, ku janë fiksuar momentet e kalimit të pikës së kalimit kufitar të dy kamionëve me rreth 10.2 ton hashash, të cilët nuk janë kontrolluar. Bëhet e ditur, se me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të datës 5 shkurt dhe 24 mars, kur edhe kanë kaluar dy kamionët me hashash të bllokuara më pas në Itali.
Nga këqyrja e këtyre pamjeve filmike dhe nga këqyrja e regjistrave të shërbimit në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, thuhet nga Prokuroria, disa nga 18 të dyshuarit e arrestuar si bashkëpunëtorë në trafikun e drogës, kanë qenë në punë në të dy rastet e kalimit të kamionëve me drogë në Portin e Durrësit.
Ajo që për hetuesit ka krijuar dyshime të forta, të përfshirjes së punonjësve të policisë dhe doganierëve në trafikun e drogës, është fakti se disa prej këtyre punonjësve kanë qenë në detyrë në të dy rastet e kalimit të kamionëve me drogë. Si në rastin e datës 5 shkurt të kalimit të kamionit me 8 ton hashash ashtu edhe në rastin e datës 24 mars 2017 të kalimit të kamionit me 2.2 ton hashash, duke mos ushtruar kontrollin e duhur.
Sipas pamjeve filmike, rezulton se efektivët e policisë kontrollonin vetëm pasaportat dhe dokumentacionin e kamionëve si dhe këqyrjen nga jashtë të tendës së kamionit pa e kontrolluar atë me qentë antidrogë në të dy këto episode. Edhe punonjësit e doganës në të dy rastet, kanë mjaftuar vetëm me kontrollin e dokumenteve të kamionit dhe mallin që ata kishin të deklaruar, por në asnjë rast nuk është bërë kontrolli fizik brenda rimorkios së kamioneve ku ishin fshehur sasia e madhe e drogës.
Sipas Prokurorisë, këto dhe veprime të tjera të efektivëve të Policisë Kufitare, të Doganës dhe të Agjentëve Doganorë, si në Qafë Thanë ashtu edhe në Portin e Durrësit i kanë ngritur dyshime Prokurorisë se të gjithë këta bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të realizuar kalimin e kamionëve të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, ku edhe janë bllokuar.