Taksat e larta pengojnë shërbimin “low cost” në Shqipëri

Nëse në çdo vend të botës fluturimet me kompani që ofrojnë shërbimin “low cost” janë të papërfillshme, Shqipëria është vendi i parë që prish logjikën e këtij shërbimi. Jo më larg se dy javë më parë, u prezantua linja me çmime të ulëta Tiranë–Budapest–Tiranë, ku u premtua se biletat nuk do të kushtonin më shumë se 20 euro për një destinacion ose 40 për biletat vajtje–ardhje. Por nuk ka ndodhur kështu. Për 30 ditët në vazhdim, një biletë Tiranë–Budapest mund ta gjesh nga 30 deri në 60 euro, por për t’u kthyer nga Hungaria në Shqipëri, nuk gjen biletë më të lirë se 60 euro apo 18 mijë forinta. Çmimi shkon edhe deri në 110 euro për fluturimet Budapest–Tiranë. Bileta që janë jashtë logjikës “low cost”, ofron edhe linja Transavia, e prezantuar disa ditë më parë për fulturimet Tiranë–Amsterdam. Bileta më e lirë është 86 euro dhe në ditët e tjera çmimi rritet duke shkuar në 170, apo edhe 250 euro. Të njëjtat çmime ofrojnë edhe kompani të tjera, të cilat nuk janë “low cost” dhe kanë shërbime me të tjera standarde. Linjat e Wizz Air kanë çmime për biletat vajtje–ardhje 40 deri në 60 euro për nisjet nga Shkupi dhe Prishtina. Në Shqipëri, mësohet se shkak i çmimeve të larta janë taksat e Aeroportit të Rinasit, të cilat janë më të shtrenjta se në Shkup, Prishtinë, Podgoricë apo Beograd. Në këtë mënyrë, këto taksa kanë arritur të infektojnë brenda një kohe të shkurtër edhe logjikën e “low cost”, kompanive të krijuara posaçërisht për të konkurruar me çmime të ulëta. Prej vitesh qeveria shqiptare propagandon se po bën ç’është e mundur për të bërë më të lira udhëtimet me avion nga Shqipëria dhe drejt saj. Dy kanë qenë premtimet kryesore. I pari, hapja e aeroporteve të reja për linjat low cost dhe e dyta, futja e këtyre linjave në vend. Ndërkohë që nga aeroportet e Shkupit dhe Podgoricës, mund të fluturosh drejt Barcelonës, Berlinit, Amsterdamit dhe Parisit edhe me 34-40 euro, në Shqipëri duhet të paguash një çmim tre-katër herë më të lartë. Kjo po ndodh edhe me linjën më të re ajrore që u hap me shumë pompë duke propaganduar tarifa konkurruese. Kur filloi fluturimet nga Tirana në Budapest dhe anasjelltas Wizz Air propagandoi një çmim 33 euro. Por sot është e kotë të kërkosh të udhëtosh me një tarifë të tillë. Biletat janë katërfishuar. Të tilla çmime aplikon edhe francezia Transavia. Përpos udhëtimeve Tiranë-Paris nga 10 maji Transavia ofron udhëtime direkt nga Tirana në Amsterdam. Por, sa kushtojnë biletat dhe si janë ato krahasuar me vendet e tjera të rajonit për të njëjtat destinacione? Revista “Monitor” ka bërë një kërkim në linjat përkatëse për udhëtimet vajtje-ardhje në muajt e verës, ku rajoni rezulton sërish shumë më i lirë.