Situatë alarmante në zonën e ish-Kënetës në Durrës, banorët në revoltë

Në prag të zgjedhjeve vendore, por edhe të sezonit veror që shënon rritje të temperaturave, banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës janë në hall të madh. Deri tani, premtimet e dhëna nga të gjithë të zgjedhurit vendorë e parlamentarë nuk i kanë mbyllur dot kanalet e hapura të ujërave të zeza, të cilat përshkojnë lagjen e tyre dhe përhapin “aromën” kundërmuese në të gjithë zonën. Pikërisht ky është edhe problemi i këtij komuniteti të madh, që nuk po gjen zgjidhje. Banorët thonë se do të bojkotojnë zgjedhjet e 18 qershorit, nëse nuk do të ketë ndërhyrje konkrete nga ana e pushtetit lokal dhe e qeverisë për problemet jetike që i shqetësojnë si kanalizimet e ujërave të zeza apo furnizimi me ujë të pijshëm, që u vjen i ndotur. Situata mbetet e tillë prej më shumë se 20 vjetësh, ndërsa pushtetarët vijnë një herë në dy vite për të kërkuar votat shtëpi më shtëpi dhe nuk i mbajnë premtimet që japin. Ndonëse ndodhet vetëm një kilometër e gjysmë larg qendrës së qytetit të Durrësit, mungesa e vëmendjes së pushtetit lokal, ka bërë që kjo zonë të jetë në gjendje të mjerueshme. Ndërkohë, banorët mbeten në pritje të zgjidhjes së këtij problemi, i cili rëndohet edhe më shumë përgjatë muajve të verës. Kryeinspektori i mjedisit në Durrës, Jurgen Dashi, pranoi situatën e rënduar dhe premton zgjidhje të shpejtë, duke i dhënë fund këtij problemi të mprehtë me të cilin përballet kjo zonë, që numëron më shumë se 43 mijë banorë.