Si mashtroi Tahiri për 8 tonelatat e drogës nga Durrësi drejt Italisë

Pas kapjes së kamionit me 8 tonë drogë nga policia italiane në Ankona më 11 shkurt të këtij viti, pak pasi kishte zbritur nga trageti i linjës së Durrësit, Policia e Shtetit, me urdhër të Tahirit, në atë kohë ministër i Brendshëm, reagoi me urgjencë që t’i shmangej përgjegjësisë. Dhe këtë e bëri në mënyrë zyrtare, duke deklaruar se, “Shqipëria nuk është e përfshirë as në njerëz as në mjete për 8 tonët e drogës së bllokuar në Venecia”. Jo vetëm në këtë rast, por pas çdo operacioni të policisë italiane për kapjen e dhjetëra tonelatave drogë, policia shqiptare, me urdhër të ministrit Tahiri, ka mohuar implikimin e palës sonë dhe është mburrur se këto “suksese të policisë italiane janë arritur pas informacioneve të policisë shqiptare”.
Kamioni që vetëm “me letra” ishte nisur nga Maqedonia dhe kishte kaluar tranzit nëpërmjet doganës së Qafë-Thanës dhe asaj të Durrësit u kap nga policia italiane në Ankona. Mediat italiane zbuluan se, bëhej fjalë për një skemë, ku ishin të përfshirë doganierët dhe policia shqiptare. Lajmi u publikua edhe në mediat shqiptare, por Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me urdhër të Tahirit reagoi me urgjencë, duke deklaruar se, “Shqipëria nuk është e përfshirë as në njerëz as në mjete për 8 tonët e drogës së bllokuar në Venecia”. Megjithëse italianët qartësonin se kamioni me drogë erdhi nga Porti i Durrësit, policia shqiptare i shfajësoi efektivët e policisë, kur ende nuk kishin mbaruar hetimet. Por hetimet e Prokurorisë treguan të kundërtën. Shqipëria ishte e përfshirë me zyrtarët e lartë të policisë dhe doganës, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre lejuan kalimin e 8 tonëve drogë në Itali.

Njoftimi i Policisë së datës 11 shkurt

“Policia italiane ka konfirmuar që në lidhje me një artikull që ka qarkulluar në media për sekuestrimin e 8 tonë lëndë narkotike në Venecia, Shqipëria nuk është e përfshirë as në njerëz e as në mjete. Konfirmimi vjen nga DCSA, Drejtoria Qendrore e Shërbimit Antidrogë. Hetimi është sekret dhe ndiqet nga tre Prokurori në Itali. Nuk mund të jepen të dhëna të tjera mbi hetimin për shkak të sekretit hetimor, por konfirmojmë që nuk ka të përfshirë nga pala shqiptare. Organizata kriminale është e drejtuar nga shtetas të Maqedonisë. Policia e Shtetit mbetet nga partnerët më të fuqishëm të policisë italiane në luftën kundër trafiqeve në përgjithësi dhe të trafikut të lëndëve narkotike në veçanti”.
Ky ishte njoftimi i 11 shkurtit. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nisur hetimet me të marrë lajmin nga partnerët italianë. Në këto hetime përfshihet edhe përgënjeshtrimi i lajmit nga Policia e Shtetit.

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me homologët italianë zbuluan të gjithë skemën e trafikut të 8 tonelatave të drogës nga Porti i Durrësit në Itali. Gjurmët e trafikut nisnin në Qafë-Thanë, por droga nuk ishte ngarkuar në Shqipëri. Kamioni me targa maqedonase i drejtuar nga një shtetas maqedonas ishte mbushur me kanabis në shtetin fqinj. Një burim hetimor tha se, trafikantët kishin arritur ta kalonin drogën nga mali për në Maqedoni. Në këtë mënyrë shpresonin të shmangnin çdo dyshim. Kamionët e nisur nga Shqipëria do të kontrolloheshin me imtësi në Itali. Ndërsa një mjet i nisur nga Maqedonia, një vend që nuk figuron në listën e zezë të prodhuesve të drogës, si Shqipëria, do të ishte shumë më pak i dyshimtë.
Prokuroria deklaroi se, kamioni që drejtohej nga shtetasi maqedonas Z.S, kishte hyrë në Shqipëri më 4 shkurt 2017 nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë-Thanë, Pogradec dhe pasi i është nënshtruar verifikimeve doganore të tij dhe dokumentacionit, është lënë i lirë për të udhëtuar tranzit në drejtimin final të deklaruar, për në Belgjikë.
Po më datë 5 shkurt në orën 15:50, ky mjet me të njëjtin drejtues është paraqitur në dalje nga Shqipëria nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, i cili pasi i është nënshtruar procedurave të kontrollit të dokumentacionit shoqërues të tij, pa u kontrolluar në skaner, është lejuar të vazhdojë udhëtimin, duke u mbingarkuar në tragetin, i cili ka udhëtuar në linjën Durrës-Ankona (Itali).
Janë plot 18 doganierë dhe punonjës policie, të cilët kanë përfunduar në pranga, pasi në bashkëpunim me trafikantët e drogës kanë bërë të mundur në të paktën dy raste të dokumentuara, kalimin “e ligjshëm” të 10 tonëve drogë, ku më i bujshmi është ai i 11 shkurtit, për të cilin policia shqiptare mohonte (mashtronte) kategorikisht përfshirjen e shqiptarëve dhe zyrtarëve të saj.
Prokuroria e Krimeve të Rënda pas kryerjes së hetimeve në bashkëpunim me homologët italianë, më 18 shkurt urdhëroi arrestimin e 4 doganierëve në Qafë-Thanë. Njëri nga katër doganierët e arrestuar ishte nipi i gruas së ministrit aktual të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Ndërkohë, Prokuroria thelloi hetimet, duke mbërritur tek zyrtarët e lartë të policisë dhe doganave të përfshirë në këtë skandal dhe urdhëroi arrestimin e 18 prej tyre.

R.POLISI