Shqiptari kapet në Itali me drogë 100 mijë euro

282

Një shqiptar është arrestuar nga policia në Itali, pasi i janë gjetur në bodrumin e shtëpisë rreth 83 kilogram marijuanë. Në pranga është vendosur Arian Bashmeta 42 vjeç, banues në Sanremo. Pas informacioneve të marra, policia ka ushtruar kontroll në bodrumin e shqiptarit, i cili kishte hedhur deodorant për të mbuluar erën e hashashit në mënyrë që karabinierët, por edhe fqinjët të mos vinin re erën e hashashit, raporton Ansa.
Lënda narkotike kap vlerën prej 100.000 euro nëse do të shitej në treg. Gjithashtu policia gjeti edhe pajisje për paketimin e drogës. Arian Bashmeta ishte dëbuar në vitin 2005 nga Italia, por ishte rikthyer sërish në mënyrë klandestine një vit më vonë, duke përfituar nga bashkëshortja që ishte me leje të rregullt qëndrimi.

136 kg drogë me makinë nga Shqipëria në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 136 kg drogë në dy operacione. Sipas burimeve, policia sekuestroi 120 kg drogë dhe vuri në pranga një shqiptar, i cili e kishte fshehur drogën në makinë. Pas informacioneve të marra, policia greke ka ndjekur një makinë që vinte nga kufiri me Shqipërinë. Pas ndjekjes dhe kapjes së mjetit në aksin Janinë-Antirio, në vendin e quajtur Kompoti, Artë, policia gjeti gjatë kontrollit të mjetit 27 pako me 119 kg 300 gram marijuanë, ndërsa në pranga vendosi drejtuesin shqiptar rreth 29 vjeç. Sipas policisë greke, mjeti ishte ngarkuar në kufirin e gjelbër të Janinës. Makina rezulton të jetë marrë me qera nga një grek 40-vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, policia greke ka ndjekur një tjetër makinë e cila vinte nga kufiri me Shqipërinë. Pas kontrollit në Eleusa të Janinës, policia greke gjeti 2 çanta me 14 pako që përmbanin 36 kg 750 gram marijuanë, ndërsa në pranga ra drejtuesi i mjetit, një shtetas grek rreth 45-vjeç.