Protestuesit kundër landfillit të Fierit përleshen me policinë

215

Dhjetëra banorë të fshatrave Verri dhe Kallm i Madh e i Vogël u grumbulluan në orën 8:30 të mëngjesit të djeshëm dhe së bashku burra, gra, fëmijë u nisën për të protesuar para Bashkisë Fier. Kërkesa e tyre është unanime dhe e panegociueshme, jo impiant plehrash në Verri. “Kur kryebashkiaku Subashi dhe kryeministri Rama thanë nuk do të ndërtohet në Verri, përse nuk i largojnë makineritë?!”, pyesin ata. Nga ana e tij, kryebashkiaku Subashi ka pohuar se impianti i përpunmit të plehrave do të ndërtohet sepse është një vendim i qeverisë, por do të gjendet vendi i përshtatshëm, do të bisedohet me banorët e më pas do të merret vendimi për të filluar nga puna për ndërtimin e tij. Dhjetëra banorë burra, gra e fëmijë të fshatrave Verri, Kallm i Madh dhe i Vogël kanë marshuar drejt Bashkisë së Fierit për të kërkuar një përgjigje nga kryebashkiaku Armando Subashi lidhur me ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve. Ata janë përplasur me policinë, e cila ka tentuar të pengojë banorët që të afrohen pranë bashkisë. Banorët shprehen të revoltuar pasi sipas tyre kryebashkiaku Subashi i ka gënjyer dhe i ka mashtruar. “Na gënjeu. Të dalë t’i japë llogari këtij populli. I ka ngelur vetëm ajri i pastër edhe atë duan të na e marrin”. Ditën e djeshme banorët e Verrisë i janë drejtuar Bashkisë Fier. Ata kanë marshuar në këmbë nga fshati. Duan anulimin e projektit të djegies së plehrave. Njerëz që nuk dorëzohen! Banorët e Verrisë filluan marshimin në këmbë drejt Bashkisë Fier, meqë Subashi nuk vjen të japë llogari për projektin e plehrave, banorët shkuan poshtë zyrës së tij. Ndërkohë që banorët marshonin drejt Bashkisë së Fierit ata kërkonin që Subashi të tërhiqet nga projekti i plehrave. Policisë nuk i intereson ligji, por urdhrat e shefave. Banorët e Verrisë nuk janë lejuar as të depozitojnë njoftimin për tubim në Policinë e Fierit. Ligji parashikon që policia mund të njoftohet edhe 3 orë përpara për një tubim të caktuar. Sido që të jetë, askush nuk mund t’i mohojë një qytetari protokollimin e një kërkese. Është detyra bazë e çdo institucioni. Të pranojë kërkesat e qytetarëve. Mbasi ta depozitojë mund të kthejë përgjigje zyrtare. Lindin disa pyetje: Si ka mundesi që policia nuk pranon as depozitimin e një kërkese zyrtare? Si ka mundësi që policia i shërben hapur një kompanie private në kundërshtim me interesat e komunitetit? A nuk është kjo prova më e qartë se në projektin e djegies së plehrave në Verri janë përfshirë qeveritarë? Pasi kreu i Bashkisë, i besuari i Rilindjes, Armando Subashi, i mashtroi banorët në mes të ditës me diell, kur në Fier shkoi Kryeministri Edi Rama, se projekti në fjalë do të anulohej, banorët nuk e kanë ndalur për asnjë ditë protestën e tyre ditën dhe natën. Ata nuk e besuan Subashin e Fierit kur lajmin e “mirë” për banorët ai e përcolli nëpërmjet Facebookut, në një status shoqëruar dhe me një foto me Kryeministrin, që deri atë ditë nuk kishte parë dhe dëgjuar se çfarë po ndodhte në Fier. Prej ditësh Subashi po hahet dhëmbë më dhëmbë me banorët e Verrisë, të cilëve jo vetëm që nuk ua di hallet e jetesën e vështirë të fshatit, por ua ka shtuar edhe më shumë. Ai vetë i pari dhe shumë të tjerë pas tij kanë besuar se lufta e vërtetë bëhet me njerëzit që jetojnë në qytet, ndërsa këta të fshatit është e lehtë tua hedhësh, t’i mashtrosh e t’i kërcënosh. Një nga shumë kërcënimet që Subashi i Fierit u ka çuar banorëve, pasi i ka sharë në mënyra ordinere është se “të gjithë do t’i fusë në burg” dhe këtë po bën. Por banorët nuk do të dorëzohen! Ata sot janë më të braktisur se kurrë; kush i ka hedhur sytë nga fshati veçse kohëve të fushatave; por ata janë më të fortë se kurrë që të mos ndalen në luftën e tyre për jetën dhe për tokën, për tokën me të cilën kanë të lidhur jetën. Inceneratori në Verri nuk është e keqe e madhe vetëm për këtë fshat, por për mijëra banorë të tjerë që jetojnë nga Berati në Lushnje. Ndaj sot me këta njerëz duhet të ishte ngritur e gjithë Myzeqeja e bekuar, e cila është parë si hambarë i bujqësisë. Verria e Fierit është një rast i mirë për ata që s’kanë parë gjë akoma, për të dëshmuar se Rilindja është një bandë kriminelësh që drejton vendin dhe që Subashi ua ka mësuar mirë çmimin në kohën kur ushtronte profesionin e gjykatësit. Ndaj sot për këtë njeri, që po lufton edhe fshatin që e votoi për kryebashkiak jeta e këtyre njerëzve vlen shumë pak, sepse ata nuk kanë çfarë t’i ofrojnë. Ndërsa pas inceneratorit të plehrave fshihen miliona lekë për Subashin, që i duhen për të blerë votat e më shumë se të një fshati, sepse Rilindja atij i ka besuar Fierin, që e do sërish të fituar nga Partia Socialiste.