Policët e Veliajt kapen duke vjedhur, tre në pranga

208

Tre punonjës të Policisë Bashkiake në Tiranë janë vënë në pranga gjatë operacionit të koduar ‘Rrjeta’. Të arrestuarit mësohet se janë: Erjon Beca, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës grupi pranë Policisë Bashkiake Tiranë për kontrollin e territorit. I. M, 25 vjeçe, banuese në Tiranë me detyrë punonjëse e patrullës së Policisë Bashkiake Tiranë dhe Astrit Breshani, 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë patrullë shërbimi në patrullën e Policisë Bashkiake Tiranë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 21.04.2017, rreth orës 16:00, në rrugën “Panorama” pranë ZVRPP, punonjësit e Policisë Bashkiake me automjetin e punës dyshohet t’i kanë marrë shtetasit J. M., një shumë prej 200 mijë lekësh të vjetra, për lejimin e një tende (rrjetë mbrojtëse dielli) në një pikë lavazhi në qytetin e Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 4 kartmonedha, konkretisht 4 kartmonedha me prerje 5.000 lekë të reja dhe 5 telefona celularë të markave të ndryshme. Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike i kryer në bashkëpunim”.