Plani i Ramës për burgosjen e Metës

Rama ka një plan, atë të burgosjes së Ilir Metës. Prej kohësh kjo ëndërr e Ramës po fle në sirtar,  por kjo nuk e pengoi dy netë më parë që ta shpalosë publikisht. Mesazhi është një presion i hapur ndaj rivalit të përhershëm brenda së majtës në prag të përcaktimit të koalicioneve zgjedhore.
Edi Rama kërcënoi me burg Ilir Metën mbrëmjen e së hënës në një intervistë televizive, ndërsa deklaroi se ai e konsideron Reformën në Drejtësi si një mjet përmes së cilës do të burgosen gjyqtarë e prokurorë.
Kjo deklaratë e Ramës vjen në një kohë kur Meta ende nuk është shprehur zyrtarisht nëse do të futet në koalicion me Ramën apo jo në zgjedhjet e ardhshme.
Kryeministri Edi Rama i ftuar në “Dritare me Rudinën”, ka folur edhe për Reformën në Drejtësi.
Rudina Xhunga e ka pyetur Kryeministrin Rama se, pse shumë shqiptarë e shohin këtë reformë si mundësi për të futur në burg Metën dhe Berishën dhe nëse e kishte dëgjuar këtë si tendencë.
Rama u shpreh se nuk duhet parë që kjo reformë do të burgosë vetëm njerëz ordinerë, por edhe politikanë, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.
“Nuk e shoh lidhur me individë, por shqiptarët kanë të drejtën e Zotit të mendojnë që në fund fare të ketë një çmim për ata që bëjnë keq në këtë vend. Mos të dënohen vetëm njerëz ordinerë, por të dënohen edhe disa gjykatës që u kanë marrë shpirtin njerëzve, prokurorë, politikanë të korruptuar që janë përzier në korrupsion, krime ekonomike, skandale. Dhe për këtë njerëzit kanë të drejtë”, u shpreh Rama.
“Kam luftuar dhe luftoj me mish e me shpirt që në këtë vend të bëhet drejtësi sepse personalisht s’kam probleme me drejtësinë, pavarësisht çfarë thuhet”, shtoi ndër të tjera Rama.
Kryeministri Rama akuzoi opozitën e sotme se i ka sjellë vendit vetëm të këqija.
“Nuk ka gjë që ata mos ta kenë prishur. Ata ku kanë gjetur shesh, kanë bërë përshesh. Por do të hajnë përsheshin që kanë bërë vetë, po bëjnë vetëvrasje live”, tha kryeministri.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se ishte plotësisht i bindur që PD do të hyjë në zgjedhje, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme dhe sugjeroi se kësaj partie i duhet një Rilindje, që sipas tij edhe pse do të jetë e dhembshme, nuk duhet të jetë më shëmbëlltyrë e një personi të vetëm.