Pioli humbet konfirmimin te Interi

Goli i Zapatas mund të ketë dënuar përfundimisht Stefano Piolin. Të nesërmen e derbit, mediat italiane njoftojnë që ka vërtet shumë pak shanse që tekniku 51-vjeçar të konfirmohet në stolin e Interit. Dy pikët e marra në 4 ndeshjet e fundit, kanë ridimensionuar ambiciet dhe klasifikimin e Interit që tani rrezikon të mbetet jashtë edhe nga Europa League, një katastrovë sportive që nuk mund të gjejë alibi, madje as te fillimi i keq i sezonit me De Boer. Përtej shifrave situata për Piolin është kritike për paraqitjet e fundit me Sampdorian, Crotonen dhe Milanin.
Tre ndeshje të luajtura keq si teknikisht ashtu dhe në aspektin e personalitetit. Në veçanti katastrofike tërheqja e Interit pas avantazhit të dyfishtë ndaj Milanit. Te Interi, ndërkohë po marrin në shqyrtim edhe individë të skuadrës disa prej të cilëve ndoshta janë mbivlerësuar dhe nuk janë në lartësinë e duhur për një klub që vitin tjetër duhet të sigurojë me çdo kusht një vend në Champions. Pioli kështu mbetet i varur vetëm te shpresa që të marrë pikët e plota në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit, duke siguruar hyrjen e drejtpërdrejtë në Europa League, objektivi i vërtetë që i është kërkuar, edhe pse kjo mund të mos mjaftojë. Kjo edhe për arsyen se lojërat për programimin e sezonit të ardhshëm bëhen që në maj.
Nga Spanja, ndërkohë vijnë të fortë zërat për një tentativë të re të klubit zikaltër në drejtim të Diego Simeones, një mision ku mund të rezultojë shumë e rëndësishme puna e zv/Presidentit, Javier Zanetti, që është njëkohësisht një mik i El Cholos ashtu si edhe një përkrahës i fuqishëm i idesë për t’i besuar teknikut argjentinas. Te Interi janë gati për një super ofertë strategji që mund të përdoret njëkohësisht edhe me Antonio Conten. Misioni për të arritur te Conte është pothuajse i pamundur, por Interi mund t’i vërë në tavolinë një propozim vërtet interesant, 5 vjet në një kontratë shumë të pasur dhe pushtet të plotë në lidhje me çështjet e skuadrës.
Pas 6 vjetësh me fanellën e Interit, Yuto Nagatomo, mund t’i japë lamtumirën zikaltërve. 30-vjeçari pohoi se po e merr në konsideratë mundësinë e një largimi nga skuadra e drejtuar nga trajneri Stefano Pioli. Japonezi deklaroi se për momentin, nuk ka vendosur akoma përsa i takon të ardhmes së tij, pasi më parë duhet të bisedojë me drejtuesit e Interit. Gjithsesi, ai shtoi se deri në fund do të vazhdojë të japë më të mirën në fushën e lojës për skuadrën e tij.