Pence: Korea e Veriut të presë kundërpërgjigjen më të ashpër

Zëvendëspresidenti Pence paralajmëroi Korenë e Veriut ditën e hënë se, “koha e durimit strategjik ka marrë fund”, duke shprehur mungesën e durimit nga ana e administratës amerikane kundrejt mungesës së vullnetit që ka shfaqur regjimi i Kim Jong Un për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore. Teksa fliste në zonën e çarmatosur që ndodhet ndërmjet Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, Pence tha se presidenti Trump shpreson që Kina do të ushtrojë presion kundër Penjanit për të braktisur armët bërthamore.
“Epoka e durimit strategjik ka marrë fund”, tha Pence. “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se durimi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë në rajon po përfundon dhe duam të shohim një ndryshim drastik të situatës. Duam që Korea e Veriut të braktisë menjëherë programin bërthamor, si dhe përdorimin e vazhdueshëm të raketave balistike, gjë që është tërësisht e papranueshme”.
Pence e quajti lëshimin e dështuar të raketës nga ana e Koresë së Veriut si “provokim”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do t’i arrijnë objektivat përmes “mjeteve paqësore, por edhe me çdo mjet tjetër që të jetë i nevojshëm” për të mbrojtur Seulin dhe stabilizuar rajonin. Deklarata e Pence vjen në mes të ndezjes së tensionit dhe retorikës së egërsuar në Gadishullin Korean. Edhe pse Veriu nuk e zhvilloi testin bërthamor, mundësia se mund lëshohej një raketë e egërsoi së tepërmi përgjigjen e Shteteve të Bashkuara përpara vizitës 10-ditore të zëvendëspresidentit Mike Pence në Azi. Pence vizitoi gjithashtu trupat amerikane të pozicionuara në Korenë e Jugut.
“Provokimi nga Korea e Veriut është vetëm një tjetër kujtesë për rreziqet me të cilat ju përballeni çdo ditë në mbrojtje të lirisë së popullit të Koresë së Jugut dhe në mbrojtje të Amerikës në këtë pjesë të globit. Gatishmëria juaj për të shërbyer, për të qëndruar pa frikë është një frymëzim për vendin dhe për botën”.
Ditën e hënë, Pence theksoi edhe një herë se, “të gjitha mjetet janë tashmë në tavolinë” për të trajtuar dhe për t’i dhënë fund kërcënimit të Koresë së Veriut. Ai tha se përdorimi i armëve bërthamore do të përballet me “kundërpërgjigjen më të ashpër të Shteteve të Bashkuara”. Teksa fliste me presidentin e Koresë së Jugut, Hwang Kyo-ahn në krah, Pence tha se angazhimi amerikan për Korenë e Jugut “është i hekurt dhe i palëkundur”.
Më parë, këshillatri i lartë i sigurisë kombëtare, T. MacFarland kishte thënë për “Fox News” se Korea e Veriut ishte një problem i madh për këto në rajon, edhe për Kinën që shihet si aleate e Veriut. “Korea e Veriut është rrezik dhe problem për të gjithë, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për Korenë e Jugut, jo vetëm për Japoninë, jo vetëm për Rusinë, por edhe për Kinën”.
H.R. McMaster, këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tha për “ABC” se, Shtetet e Bashkuara do të marrin ndihmën e aleatëve, si dhe të lidershipit kinez për të zgjidhur problemet me Korenë e Veriut. McMaster theksoi vendimin e fundit të Trumpit për të urdhëruar bombardimin e Sirisë pasi fajësoi Assadin për sulmin kimik, si një shenjë që të gjithë të kuptojnë se presidenti është duke marrë vendime të egra. Në të njëjtën kohë, ai tha se ka ardhur koha të merret çdo veprim i mundshëm për ta zgjidhur situatën.

Provokimi i Koresë së Veriut
Zyrtarët amerikanë dhe ata të Koresë së Jugut thanë se një raketë e Koresë së Veriut shpërtheu gjatë lëshimit. Ky konsiderohet një dështim i rëndësishëm, ndërkohë që një ndër aeroplanmbajtëset më të mëdha amerikane po i afrohej Gadishullit Korean.
Sipas Komandës amerikane të Paqësorit, raketa shpërtheu pothuajse menjëherë sapo u lëshua pranë bazës së nëndetëseve Sinpo në bregun lindor të vendit.
Nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili vizitoi Korenë e Jugut foli për tensionet në rritje rreth programit bërthamor dhe të raketave të Koresë së Veriut. Nënpresidenti Pence i bëri komentet gjatë një takimi me ushtarakët amerikanë të vendosur në bazën amerikane në Yongsan.
Në një deklaratë të publikuar pas lëshimit të raketës nga sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis thuhet se Presidenti Trump dhe ekipi i tij ushtarak janë plotësisht të mirinformuar për lëshimin e dështuar të raketës dhe se Presidenti nuk ka komente të mëtejshme në këtë pikë. Korea e Veriut e zhvilloi testin në shenjë sfidimi ndaj paralajmërimeve të shtuara amerikane se do të ketë pasoja serioze ndaj provokimeve të tilla, përfshirë edhe një përgjigje të mundshme ushtarake.
Raketa mendohet se nuk ka qenë e llojit të raketave balistike ndërkontinentale. Presidenti Trump ka paralajmëruar se nuk do të tolerohen prova me raketa balistike ndërkontinentale. Provat me raketa balistike ndërkontinentale nga Korea e Veriut shihen si përpjekje të Phenianit për të avancuar teknologjinë raketore me rreze të gjatë veprimi, gjë që mund të kërcënojë drejtpërsëdrejti sigurinë territoriale të Shteteve të Bashkuara.