Pas Blushit, Rama emëron opozitë edhe “Kaubojsin”

Garat e montuara elektorale sa për fasadë, Edi Rama nuk i ka për herë të parë. Mjafton këtu të kujtojmë vitin 2009, kur ai sapo humbi zgjedhjet parlamentare dhe për të mos u larguar nga posti i kryetarit të PS-së, sajoi një garë me kandidatin “kukull” Maqo Lakrori.
Me të njëjtën filozofi synon tani të degjenerojë edhe procesin e zgjedhjeve të 18 qershorit, degjenerim që nuk lidhet vetëm me vendosmërinë e tij kokëforte për të shkuar në zgjedhje i vetëm pa opozitën, por edhe me një lëvizje të tij të fundit.
Rama ka caktuar deputetin “Kaubojs”, Eduart Ndocaj në frotin opozitar. I kapur pas Partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar, “Kaubojsi” është regjistruar tashmë në KQZ si subjekt garues në zgjedhjet e 18 qershorit.
Përmes një deklarate ai njoftoi sot se do të marrë pjesë në zgjedhje si koalicion opozitar me mazhorancën. Pra, në një skenar që opozita do t’i shkojë deri në fund qëndrimit të saj për të mos hyrë në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër, ky i fundit e ka gjetur “Kaubojsin” si udhëheqës të koalicionit opozitar, thjesht për fasadë dhe për të treguar se këtu ka normalitet.
Megjithatë s’ka njeri të arsyeshëm që të besojë se deputeti “Kaubojs”, i cili ka akuzur Ramën se i ka paguar gjysmë miliard lekë për fushatë në vitin 2013, të zëvendësojë opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit.