Pa opozitën, zgjedhjet do të ishin një farsë

“European Western Balkans”, portali informativ kushtuar integrimit europian të Ballkanit, i cili ka partneritet me agjenci dhe fondacione prestigjioze si “German Marshall Fund” apo “Konrad Adenauer Stiftung” ka publikuar një analizë lidhur me situatën e nderë politike në Shqipëri. Autorja Sarah Wohlfeld shkruan se pa pjesëmarrjen e PD-së, zgjedhjet parlamentare do të ishin një farsë dhe demokracia e vendit do të dëmtohej për vitet e ardhshme. “Për sa kohë kompromisi shihet si dobësi dhe të gjitha vendimet politike merren në bazë të fuqisë së njërit apo tjetrit, e ardhmja demokratike e Shqipërisë nuk duket shumë e ndritur”, shkruan Wohlfeld. “Opozita shqiptare po e braktis Parlamentin edhe njëherë tjetër. Demokracia e re dhe e dobët shqiptare po pëson një tronditje, edhe njëherë tjetër. Zhvillimet bëhen edhe më të trishtueshme, pas disa hapave shpresëdhënës që ndërrmori vendi, duke u bërë një nga vendet pararojë i integrimit në Bashkimin Europian. Kalimi i një pakete kushtetuese për Reformën në Drejtësi me votë unanime ishte një moment domethënës në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konsolidimin e demokracisë. Megjithëse konsensusi u arrit pas një presioni ekstrem, ky ishte një sukses tjetër pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2013, që në tërësi i kapën standardet europiane. Dukej si një lajm i mirë nga vendi me imazhin më të keq në rajon. Hapi i radhës dhe më logjik me synimin e mirë për ta mbështetur Shqipërinë, ishte rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave në nëntor të 2016. Për të shtuar presionin mbi elitën politike të Shqipërisë, rekomandimi kushtëzohej me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe në veçanti me ligjin e vetingut. Në krahasim me vendet e tjera në rajon, perspektiva e Shqipërisë drejt BE-së dukej premtuese: ndryshe nga Serbia dhe Kosova, Shqipëria nuk ka mosmarrëveshje me fqinjët. Po ashtu, nuk ka tensione ndëretnike brenda vendit si në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në vitet e fundit, qeveria nuk ka pasur skandale të mëdha të ngjashme me ato të Maqedonisë, me skandalin e përgjimeve. Ndryshe nga Mali i Zi, që për një çerek shekulli njeh vetëm një qeveri, Shqipëria ka treguar se është e aftë të bëjë një ndryshim paqësor të pushtetit. Me sistemin stalinist dhe izolimin e rreptë nga pjesa tjetër e botës, Shqipëria pati fillimin më të vështirë në rajon në përfundim të Luftës së Ftohtë. Dukej sikur ishte në pararojë për integrimin europian, por fatkeqësisht pritshmëritë dështuan. Pasi dy blloqet kryesore politike, koalicioni qeverisës, i kryesuar nga Partia Socialiste dhe opozita e kryesuar nga Parta Demokratike, ia dolën të bëjnë një marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës, nuk shkoi shumë dhe politika iu rikthye normalitetit të saj” shkruhet në artikull.  Ndërkohë, vijon artikulli, figurat kryesore të Partisë Demokratike po kërkojnë një qeveri teknike, jo partiake me argumentin se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme nën qeverisjen e Partisë Socialiste, një kërkesë e rrëzuar jo vetëm nga PS, por edhe nga përfaqësuesit e BE dhe SHBA në Tiranë. “Në këtë pikë, është e vështirë të parashikohet çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e qershorit. Ajo që është e qartë sot është që Shqipëria po humb edhe një shans tjetër sot. Pa pjesëmarrjen e PD-së, zgjedhjet parlamentare do të ishin një farsë dhe demokracia e vendit do të dëmtohej për vitet e ardhshme. Por edhe nëse më e keqja do të shmangej dhe presioni ndërkombëtar do të ndryshonte kursin e PD; zhvillimet e tanishme tregojnë edhe njëherë tjetër se kultura politike në Shqipëri e bllokon progresin e vërtetë. Për sa kohë kompromisi shihet si dobësi dhe të gjitha vendimet politike merren në bazë të fuqisë së njërit apo tjetrit, e ardhmja demokratike e Shqipërisë nuk duket shumë e ndritur” thuhet ndër të tjera në artikull.