Një ndeshje e madhe

Trajneri i Real Madrid, Zinedin Zidan, ka konfirmuar se Garet Bejl do të mungojë për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih dhe ka zgjedhur që tani se kush do ta zëvendësojë uellsianin. “E kam vendosur se kush do të zëvendësojë Bejl, por nuk do ta tregoj. Të gjithë lojtarët po tregohen fenomenalë, kam luksin të zgjedh. Por lumturohem që janë shumë në këtë nivel dhe kam më shumë vështirësi për të formuar ekipin”, u shpreh Zidane.
Një nga alternativat është edhe Isko, i cili po shënon gola të rëndësishëm këtë vit për ekipin, por në Ligën e Kampioneve ka luajtur shumë pak. “Isko është gjithmonë gati. Në fakt janë të gjithë të gatshëm për të luajtur, por do të shohim vetëm nesër se si do të luajmë ndaj tyre. Isko ka luajtur pak për shkak të rotacionit. Statistikat thonë që ka luajtur vetëm 77 minuta dhe është e çuditshme, por na presin ndeshje të rëndësishme përpara”, tha ai.
Sipas Zidan, nesër do të duhet një tjetër ndeshje e madhe ndaj Bajernit, pasi dihet niveli që ka kjo skuadër dhe fitorja në transfertë nuk ndryshon asgjë për sa i përket vështirësisë së kualifikimit. “Nuk do të flas për rëndësinë e kësaj ndeshje se e dini të gjithë. Ne duam gjithmonë mbështetjen e tifozëve, por ata e dinë se këtë radhë do të jetë më e rëndësishme se zakonisht. Pres që të bëjmë një ndeshje të fortë dhe do të synojmë ta fitojmë. Nuk do të mendojmë për ndeshjen e parë, ajo ka mbaruar. E dimë se çfarë vështirësie do të përballojmë. Për Bajernin nuk ndryshon shumë nëse luan në shtëpi apo jashtë saj. Do të na vërë në vështirësi. Kemi përpara një ndeshje që duhet ta luajmë shumë, shumë, shumë mirë.
Kanë lojtarë të mirë në të gjitha pjesët e fushës. E dimë që kanë shumë armë, me të cilat mund të na dëmtojnë, por ashtu kanë edhe defekte, si të gjithë ekipet. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë, pasi ajo e para nuk na garanton asgjë. Do të na duhet gjithsesi të bëjmë një ndeshje të madhe”, ishin fjalët e francezit në konferencën e djeshme për shtyp para sfidës.
Ndeshja në Mynih përfundoi 1-2 për Realin e Madridit. Tomas Myler u aktivizua nga minuta e parë në duelin e së mërkurës, por nuk arriti të zëvendësonte si duhet të dëmtuarin Robert Lewandowski. Gjithsesi, gjermani e ka një “alibi” për humbjen ndaj Real Madridit dhe e lidh pikërisht me penalltinë që humbi Arturo Vidal. Më tej, sulmuesi beson se janë ende në garë për kualifikimin dhe duhet të ndihen të kënaqur që përfundoi vetëm 1-2.
“Mendoj se ndeshja mund të ishte mbyllur që në pjesën e parë. Nëse Arturo Vidal do të kishte arritur të shënonte me penallti dhe takimi do të kishte shkuar me rezultatin 2-0, do të ishim duke folur për një tjetër fund tashmë. Do të kishin ndryshuar shumë elementë, sidomos administrimi i lojës në pjesën e dytë”, u shpreh Myler.