Na “vrau” arbitri!

epa05527063 Germany's Karl-Heinz Rummenigge, chairman of the European Club Association (ECA), informs to the media, during a press conference after the plenary general assembly of the ECA, in Geneva, Switzerland, 06 September 2016. EPA/SALVATORE DI NOLFI

Karl Hainc Rumenige është shprehur shumë i lumtur me paraqitjen e ekipit të tij, por nuk ka hezituar të komentojë arbitrimin shumë të keq të Kasait, i cili, sipas tij, e dëmtoi shumë këtë ndeshje që në çdo aspekt ishte e përkryer. CEO i Bajernit ka thurur vetëm elozhe për gjermanët, sidomos të dëmtuarit, të cilët dhanë gjithçka për të qenë të gatshëm për këtë ndeshje:
“Ishte një ndeshje shumë e bukur, e shkëlqyer dhe plot emocione. Një lojë shumë e shpejtë dhe plot raste. Gjej rastin për t’u bërë komplimente të dyja ekipeve, pasi treguan që janë dy nga ekipet më të mira në botë. Humels, Boateng, Lewandowski dhe Nojer, edhe pse ishin të dëmtuar, dëshironin me çdo kusht që të luanin sot, e pabesueshme! Një sakrificë shumë e madhe prej tyre.
E vetmja gjë që nuk më pëlqeu nga kjo ndeshje ishte arbitri. Kartoni i dytë i verdhë për Vidal nuk ishte faull, e jo më karton. Mendoj se, arbitri na ‘vrau’ me vendimet e tij, duke favorizuar ndjeshëm Realin, ndonëse më parë duhet të ishte dënuar Kasemiro me të kuq për atë faull ndaj Robenit. Mendoj se këto vendime e shkatërruan këtë ndeshje kaq të bukur. Mbase kjo ishte mënyra e vetme për ta prishur këtë natë, që për shumë pak do të ishte një natë historike për ne”, deklaroi shefi ekzekutiv i Bajernit.
Ndërkohë, në darkën pas ndeshjes, ai ka marrë mikrofonin në sallë për të përgëzuar futbollistët për atë që kishin dhënë në fushën e lojës. Sipas gazetarëve spanjollë të pranishëm, ai e ka filluar me fjalët: “Çfarë po bëjnë kështu federatat? Ndjej inat për herë të parë në karrierën time. Na kanë mashtruar”.
Ndërkaq, gjatë fjalimit, mikrofoni nuk po punonte më. “Duhet të jetë mikrofon hungarez…”, ishte batuta e Rumeniges, e vetmja gjë që bëri për të qeshur futbollistët dhe stafin e Bajernit të pranishëm në restorantin e hotelit.
Përfundon sezoni për Neuer
Manuel Neuer mbyll sezonin. Si të mos mjaftonte eliminimi nga Champions League, për bavarezët vjen një tjetër lajm i keq në këtë finish të edicionit. Në minutën e 110 të takimit, në pjesën e dytë të kohës shtesë, në aksionin që solli golin e 3 për madrilenët, Neuer ka pësuar një frakturë në këmbën e majtë. Pavarësisht se portieri i gjigantëve bavarez dhe i kombëtares gjermane vijoi lojën deri në fund, dëmtimi është bërë zyrtar nga faqja e klubit në internet.
Në të bëhet e ditur se, Neuer do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme dhe më pas do të vendoset për trajtimin mjekësor si dhe kohën e rikuperimit. Me eliminimin nga Champions League, tashmë vëmendja e Bayernit kthehet në kampionat, ku janë edhe 5 javë për t’u luajtur, teksa mungesa e portierit duket e sigurtë për këtë mbyllje të edicionit. Bayerni kryeson kampionatin me 8 pikë avantazh, por mungesa e Neuerit mund të ndjehet në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, ku shorti e ka vendosur përballë rivalit të egër Borussia Dortmund.