Murinjo: Nuk ndiej kënaqësi ekstra

Thirrjet “tradhtar” të tifozëve të Chelsea-t gjatë vizitës së fundit në “Stamford Bridge”, Murinjo nuk i ka harruar. Teksa marshoi pas triumfit drejt tribunës “Stretford End”, bëri me shenjë nga stema e United. “Kjo është hakmarrja e Murinjos”, e komentoi komentatori i “Sky Sports”, Martin Tajler. Portugezi u hakmor ndaj Kontes për dy humbjet sezonale përmes një magjie taktike, duke përdorur shpejtësinë e Rashfordit dhe Lingardit, ndërsa Hazardin e markoi me Herrerën. Rezultati? Unitedi i tij dominoi në çdo aspekt.
– Komenti i parë për ndeshjen?
Ishte një paraqitje shumë e mirë. Ne luajtëm mirë edhe ndaj Arsenalit dhe Totenhemit, por kjo ishte një ndeshje speciale, sepse luanim kundër kryesuesve. Ishte solid. U hapëm dyfish probleme si me topin, ashtu edhe pa top. Ishim të saktë dhe agresivë në tranzicionet tona.
– Dhe këtë e bëtë duke bërë edhe rrotacion?
Ndoshta nuk i kursyem lojtarët për të enjten. Thjesht zgjodhëm skuadrën më të mirë që mendonim se kishim.
– Sa i kënaqur je nga paraqitja e Rashfordit?
Markus luajti në mënyrë fantastike. Edhe në Kupë bëri një ndeshje të njëjtë dhe pati të njëjtat raste për të shënuar, sepse është më i shpejtë se mbrojtësit e tyre. Ai është kudo në fushë, në të majtë, në qendër, në të djathtë. Ka bërë një sezon fenomenal.
– Çfarë shije ka të mundësh ish-skuadrën?
Chelsea është ekipi me kundërsulmin më të mirë në Angli. Jam i lumtur, por jo sepse mundëm Chelsea-n, por sepse na duheshin këto 3 pikë. Nuk ndiej kënaqësi ekstra pse mundëm ata, por sepse mundëm kryesuesit.
– Dhe rekordi i United shkon 22 ndeshje pa humbje…
Kur ke një rekord të tillë normalisht ti fiton titullin, por ne po vuajmë të hyjmë në top 4.
– Përse?
Sepse lamë shumë pikë në shtëpi. Na duhet më shumë cilësi sezonin tjetër në pozicione të ndryshme. Por sa i përket karakterit, kjo është një nga ekipet më të mira që kam pasur.
– Kush e fiton titullin tani?
Do të preferoja më shumë të isha në pozicionin e Chelsea-t se sa të Spërsave, por nuk dua të komentoj nëse Chelsea ka vendosmërinë për ta fituar atë. Kjo është një pyetje për Konten.