Menaxhimi i plazheve, situata nuk ka ndryshuar, ngërç standardizimi

Situata e bregdetit shqiptar mbetet e njëjtë pa asnjë ndryshim në raport me vitin e kaluar duke shfaqur ngërçin e menaxhimit problematik. Është ky konstatimi  i kreut të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare dhënë në një intervistë për mediat. “Nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh nga viti i kaluar, për arsye se ende nuk po finalizohet një model i qartë i administrimit të vijës bregdetare, pra të plazheve. Ne si institucion kemi kërkuar disa herë në prezantimet tona një model të ri, risi, të bazuar tek eksperienca pozitive e fqinjëve tanë, veçanërisht Malit të Zi, i cili është më mirë se ne në administrim. Kjo konsiston në një administrim vertikal, ku planifikimi, standardizimi, çertifikimi dhe mbledhja e të ardhurave të bëhet nga një institucion i caktuar, si institucioni jonë, nën varësinë e MZHETTS”, tha Tare. Lidhur me sektorin e turizmit në tërësi, Tare vlerëson se ka ecuri pozitive sepse këtë e tregojnë shifrat, por sërish Shqipëria s’ka arritur të krijojë diçka që ta identifikojë. “Mendimi im në 20 vjet që merrem me turizëm është që Shqipëria ende nuk ka mundur të krijojë një produkt, i cili është unik për Shqipërinë. Pra, një vend ku ti shkon sepse do që të ndjesh pjesën shqiptare”, tha kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.