Ku shkuan 10 mijë tonët e kanabisit të policisë?

383

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas deklaratës së Kryeprokurorit ndaj policisë për zhdukjen e drogës së sekuestruar. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, policia ka raportuar se ka korrur 2,5 milionë bimë apo së paku 10 mijë ton kanabis, nga e cila rezulton se asnjë rrënjë nuk është shkatërruar, por është depozituar në tunelet e ushtrisë dhe depot e Rezervave Shtetërore. Berisha shprehet se nga ky krim monstruoz me vlerë ndofta edhe mbi 15 miliardë euro, ka rrezik madhor për sigurinë e vendit dhe të rajonit. Ish-Kryeministri i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë menjëherë hetimet për këtë superskandal.
“Superskandal! Në Narkorepublikën e Norieges (Kanabistan) droga që zbulohet vidhet nga Narkopolicia!”, shkruan Berisha.
“Të dashur miq, droga tejkalon vlerën e floririt, po ju rikujtoj këtu se 12 ton kanabisi që u gjetën në magazinën shtetërore të një fshati në Përmet, kushton 60 milionë euro.
Duke patur parasysh faktin se droga në vartësi nga lloji tejkalon gram për gram floririn, Shqipëria dhe çdo vend tjetër ka ligje të rrepta për asgjësimin e saj, detyrimisht në prani të prokurorit dhe me procesverbal të firmosur nga prokurori dhe kamera.
Prokurori i Përgjithshëm denoncoi policinë dhe informoi opinionin se Narkopolicia e Narkorepublikës së Noriegës në asnjë rast nuk ka njoftuar Prokurorinë, çka do të thotë se në të gjitha rastet drogën e gjetur nga denoncimet e qytetarëve në prokurori, Narkopolicia e ka vjedhur dhe nuk e ka shkatërruar.
Të mos harrojmë se, Narkopolicia e Kanabistanit ka raportuar se ajo ka korrur 2,5 milionë bimë apo së paku 10 mijë ton kanabis, nga e cila rezulton se asnjë rrënjë nuk është shkatërruar, por është depozituar në tunelet e ushtrisë dhe depot e Rezervave Shtetërore të Narkorepublikës”, shkruan Berisha.
Më tej ish-Kryeministri Berisha shprehet se, fshehja e mbi dhjetë mijë ton kanabis nga Narkopolicia e Narkorepublikes së Noriegës përbën superskandal botëror. “Eshtë domethënëse se pikërisht ditën që Prokurori i Përgjithshëm denoncoi publikisht këtë superskandal, Noriega i Shqipërisë për të zhurmuar sado pak këtë denoncim, i kërkon prokurorit të verifikojë pastërtinë e narkodeputetëve të tij.
Duke përshëndetur guximin e denoncimit të këtij superskandali, i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nisë me urgjencë hetimin dhe të vendosë me rreptësinë më të madhe para ligjit autorët e këtij krimi monstruoz me vlerë ndofta edhe mbi 15 miliardë euro, rrezik madhor për sigurinë e vendit dhe të rajonit”, përfundon Berisha.
Një ditë më parë Kryeprokurori Llalla deklaroi se, sasitë e lëndëve narkotike të sekuestruara po asgjësohen nga policia pa praninë e prokurorëve, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin. “Një problematikë tjetër, të cilën kemi diskutuar në mënyrë të vazhdueshme me drejtuesit e prokurorive dhe të gjitha strukturat tona, mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike. Në mënyrë të vazhdueshme bëhen publike të dhëna dhe çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lënde narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mos përfshirje totale të prokurorëve për mënyrën sesi administrohen dhe sekuestrohen, asgjësohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i secilit prej nesh që të identifikojë këto raste, për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore, kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale, asgjësohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si në të gjitha rastet e tjera duhet të asgjësohet në prani të prokurorit”, deklaroi Llalla.
Kryeprokurori u kërkoi vartësve të tij që të nisin hetim për çdo zyrtar policie në të gjitha rastet, kur provat materiale asgjësohen në mënyrë të jashtëligjshme. “Ju rikërkoj që të gjitha rastet ku ka dyshime se provat materiale asgjësohen në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet për të verifikuar nëse kjo lëndë narkotike, apo çdo lloj lënde tjetër, prova të tjera materiale nuk asgjësohet apo nuk administrohet në mënyrë të parashikuar në ligj, të fillojnë hetimet dhe të vendosen përpara përgjegjësisë ligjore autorët”, deklaroi Kryeprokurori Llalla.

R.POLISI