I jepet lamtumira e fundit kantautorit të njohur, Françesk Radi

252

Iu dha dje lamtumira kantautorit të njohur shqiptar, Francesk Radi. Homazhet për nder të tij u zhvilluan në mjediset e Radio Tiranës, ku muzikanti punoi dhe kontribuoi për shumë vite. Me këngët e Çelantanos shqiptar në sfond, Francesk Radit, artistë të njohur dashamirës të artit dhe politikanë, kanë kryer homazhe në nder të kantautorit shqiptar në ambjentet e Radio Tiranës.
Françesk Radi është i mirënjohur për publikun shqiptar jo vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor dhe instrumentist. Ai i përket brezit të artistëve të viteve ’70, të cilët edhe nën regjimin komunist u përpoqën të sillnin një frymë të re në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht pop-rrok.
Dy këngët që e bënë atë të njohur për dashamirësit e muzikës ishin “Adresa” dhe “Biçikleta”. Me zërin e tij të veçantë, Radi u bë pjesëmarrës i shumë festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përfshi këtu edhe Festivalin e 11-të në vitin 1972, ku interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.
I goditur nga regjimi, Radi punoi për një periudhë kohe si mësues në Pukë, instrumentist dhe këngëtar në Estradën e shtetit. Këngëtari dhe kompozitori i njohur Francesk Radi humbi betejën me sëmundjen. U nda nga jeta në moshën 67-vjeçare pas një hemoragjie cerebrale.
Në fillim të viteve ‘90-të, ai u angazhua si redaktor muzike pranë Redaksisë së Krijimtarisë Muzikore në Radio Tirana. Po në këtë kohë, Radi iu rikthye festivalit të këngës, duke dominuar skenën e tij nga viti ‘93 deri në 2010-ën. Françesk Radi, spikati për ritmet e veçanta që solli, sikundër për interpretimin karakteristik të tij.
Mariza Ikonomi, bashkëpunimin me Francesk Radin te “Telefonatë zemrash” e cilëson si momentin më të veçantë në jetën artistike.
“Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, janë disa nga hitet e e Françesk Radit, të cilat kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare. Bashkëshortja Tefta Radi në fund të ceremonialit falenderoi të gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë artistit. Këto janë duartrokitjet e fundit që Francesk Radi merr nga dashamirësit e tij të muzikës nga kjo jetë.
Bashkëshortja e tij, Tefta Radi përloti të gjithë me fjalët e saj gjatë homazheve. “Dua thjesht t’ju përshëndes, t’ju falënderoj për respektin ndaj Frankos. Dua të them se, unë u dashurova me Frankon atëherë kur të tjerët kishin frikë t’i flisnin dhe prej tij u bëra kopje e tij, mësova si të dashuroj, si të punoj dhe si të kem dinjitet. Faleminderit të gjithëve për respektin”, tha ajo e përlotur dhe me zërin që i dridhej.